Eksperti i protokollit Tomorr Avdia, duke folur për procedurën e kthimit të trupit të Faton Hajrizit, ka thënë se në rastin e Kosovës dhe Serbisë ku dy shtetet nuk ka raporte të mirë, ndrynë një palë e tretë.
E sipas tij, në këtë rast pala e tretë është Bashkimi Evropian në bazë edhe të marrëveshjes së Brukselit.
“Kur ka raporte të këqija mes dy shteteve atëherë ndihmon një shtet i tretë, një palë e tretë. Një palë e tretë ndërhyn për shtytje të shpejtë të veprimeve ose garanci në veprime mes dy palëve. Në këtë rast ky vend i tretë ose kjo palë e tretë në bazë të marrëveshjes së Brukselit është Bashkimi Evropian,që garanton tek raportet mes dy zyrave ndërlidhëse dhe funksionimin e tyre,” ka thënë ai.
Megjithatë, Avdia konsideron se fuqia juridike dhe politike e BE-së që të ushtrojë presion te Serbia lidhur me këtë rast është e mangët.
“BE a ka fuqi juridike, politike dhe të tjera që ta ushtrojë këtë presion ndaj shtetit të Serbisë? Mua më duket që është i pakët dhe i mangët, për arsye se Serbia në modelin e vet të funksionalitetit të shtetit përdor elemente shumë teknike për të arritur qëllime, të cilat tek mekanizmat ndërkombëtar që monitorojnë procese ose monitorojnë të drejta të tilla iu duket si normale, dhe në këto rrethana në këto raporte atyre iu duket që gjithçka është duke shkuar sipas procedurës,” ka shtuar eksperti i protokollit.