Koci: Momentalisht nuk shoh gatishmëri për hapjen e urës së Ibrit

Aktuale

Koci: Momentalisht nuk shoh gatishmëri për hapjen e urës së Ibrit

Më: 25 korrik 2024 Në ora: 23:52
Analisti Melazim Koci

Analisti Melazim Koci tha se muajt e fundit Kosova ka shtrirë sovranitetin në veri dhe kjo është e pakontestueshme. I ftuar në “Lajmet e fundit” në televizionin publik, ai vlerësoi se situa dhe rendi në veri janë vënë nën kontrollin e organeve të rendit të Kosovës.

“Është sukses i Kosovës. Mjerisht do të kishte qenë edhe më i madh si sukses nëse do të bëhej në koordinim dhe nëse nuk do të ishin cenuar raportet e vendit me disa nga aleatët tanë”, tha Koci.

Sipas tij, incidente te tjera mund të priten në veri  edhe më tej sepse Serbia nuk do zgjidhje politike në veri.

”Janë elemente serbe, banorë të atjeshëm, ose të gjuajtur nga Serbia për ta mbajtur tensionin të gjallë dhe për ta prezantuar veriun si konflikt të ngrirë”, tha ai.

Koci shtoi se për këtë serbët veriut kanë dalë nga institucionet dhe refuzuan edhe pjesëmarrjen në referendum për largimin e kryetarëve shqiptarë.

“Qëllimi i Serbisë është për ta prezantuar veriun si konflikt të ngrirë. Tentojnë me çdo kusht ta mbajnë tensionin të gjallë në veri, të bëjnë edhe ndonjë ndërhyrje siç paralajmërohet nga shumë anë. Ne e dëgjuam edhe gjeneralin Clark që tha se Vuçiq pret sinjal nga Moska për ta goditur Kosovën, e kishte fjalën për veriun”, tha Koci.

Tutje ai theksoi se nuk e beson se ka ende grupe kriminale në veri. Sipas tij ka individë të dirigjuar nga Beogradi që mund të jenë banorë të zonës apo të inflirtuar.

Ndërkohë sa i përket paralajmërimeve se mund të ketë sulme të tjera në veri, Koci tha se Kosova ka forca potenciale që sulmeve të tilla t’u kundërvihet edhe pa mbështetjen e NATO-s.

“Mundësia e sulmeve të kufizuara si në rastin e Banjskës është e mundur por jam i sigurtë që Kosova ka potencial edhe armatim për ti bërë ballë këtyre lloj sulmeve”, theksoi ai.

Duke folur për çështjen e urës së Ibrit dhe paralajmërimeve që kjo urë të hapët, Koci tha se është paradoksale që në vitin 2024 në mes të Evropës të qëndrojë një urë e bllokuar, por sipas tij është në interes të dikujt që ajo të mbahet si simbol i ndarjes.

Por sipas tij kjo urë nuk mund të hapet pa marrëveshje me KFOR-in.

“Mendoj se si kërkesë mund të bëhet por mendoj se nuk do të lejojë KFOR-i pa pëlqimin me ta. Nuk e përjashtoi mundësinë që pas një marrëveshje edhe me KFOR-in edhe me faktorë të tjerë ndërkombëtar edhe të hapet, sepse nuk ka asnjë kuptim të mbahet ajo urë ashtu, sepse është shumë banale, shumë primitive. Por momentalisht nuk shoh një gatishmëri të tyre për ta bërë një gjë të tillë”, deklaroi profesori Melazim Koci.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat