Bajraktari për hallkat elektronike: Vendim i duhur, do të kemi parandalim të dhunës e vrasjeve

Aktuale

Bajraktari për hallkat elektronike: Vendim i duhur, do të kemi parandalim të dhunës e vrasjeve

Më: 26 korrik 2024 Në ora: 13:15
Ardian Bajraktari

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka njoftuar të enjten se dhunuesit do të monitorohen me hallka elektronike.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Haxhiu ka thënë se tani mbikëqyrja do të jetë më e lehtë e se hallkat elektronike do të jenë siguri më e madhe për vajzat dhe gratë viktima të dhunës.

Avokati, Ardian Bajraktari e aktivistja, Neri Ferizi këtë vendim e kanë quajtur “hap të sukseshëm” duke thënë se do të bëhet parandalimi i vrasjeve dhe fenomeni i dhunës në familje.

Në emisionin “Rreth e Rrotull”, aktivistja Ferizi ka thënë se ndonëse hap i vonuar marrja e këtij vendimi do të shërbejë që dhuna ndaj grave të parandalohet.

“Kur flasim për dhunues që janë liruar me procedurë të rregullt sidomos në Kosovë po ndodh shpesh, ose recidivistë, që kemi pasë shumë shpesh, po u hakmerren gruas për shkak se i lajmëron në polici, psh gruaja që është vrarë në oborrin e spitalit, ka pasë urdhërmbrojtje dhe prapë ndodhi vrasja. Ky vendim është hap i madh, është dashur të merret më herët. Besoj dhe shpresoj që do të ndalë numrin e vrasjeve, dhunimeve”, ka deklaruar Ferizi.

Në anën tjetër, avokati Bajraktari ka thënë se teknikisht një gjë e tillë nënkupton personit të cilit me vendim të gjykatës i caktohet të mos i afrohet viktimës, atëherë përmes hallkave elektronike i bie që nëse del nga zona e lejuar i jepet sinjal organit përgjegjës.

“Lajm jashtëzakonisht i mirë, ndonëse i vonuar. Për faktin se mbikëqyrja elektronike nënkupton realizimin e disa vendimeve të gjykatës për disa kategori. Ka të bëjë me ekzekutimin e urdhërit mbrojtës, teknikisht një gjë e tillë nënkupton personit të cilit me vendim të gjykatës i caktohet të mos i afrohet viktimës, nëse del nga zona e lejuar, i jep sinjal organit përgjegjës. Pamundësia e realizimit të këtij procesi ka qenë i pajustifikueshëm, janë thirrur në pamundësinë e mjeteve financiare, do ketë shqiptim të masave alternative përvec paraburgimit, do të ndikojë jashtëzakonisht në parandalimin e fenomenit të dhunës në familje që është në përmasa të mëdha”, ka theksuar Bajraktari.

Ndryshe, dje, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka nënshkruar kontratën, e cila mundëson posedimin e hallkave elektronike.

“Hallkat elektronike po bëhen .Me 1 korrik 2015, pra para 9 vitesh, kishte hyrë në fuqi Ligji për Mbikëqyrjen Elektronike por asnjë Qeveri nuk e kishte marrë mundin ta zbatonte. Jam jashtëzakonisht e lumtur që Ministria e Punëve të Brendshme ka arritur të nënshkruaj kontratën me Operatorin Ekonomik me qëllim të zbatimit të Ligjit për Mbikqyrjen Elektronike”, tha ajo.

Sipas Haxhiut, tashmë vajzat dhe gratë viktima të dhunës do të jenë më të sigurta.

“Mbikëqyrja tani do të jetë më e lehtë e qytetarët më të sigurtë. Hallkat elektronike do të jenë siguri më e madhe për vajzat dhe gratë viktima të dhunës, dhunuesit do të monitorohen e rrjedhimisht nuk do të kenë mundësi t’u ofrohen atyre”, ka vijuar ajo.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat