Avokati i familjes së Faton Hajrizit, Arianit Koci ka treguar se është përballur me presion nga zyrtari i morgut në Lloznicë në Serbi.
Koci ka thënë se oficeri serb e ka pritur me fjalët kërcënuese duke i thënë “Shumë i guximshëm qenke, pasi ke ardhë këtu”.
Derisa, avokati ka treguar se trupi i Faton Hajrizit që Serbia thotë se e ka vrarë do të kthehet dhe se kjo është çështje kohe dhe procedurash.
“I habitur me prezencën time, zyrtari i morgut në Lloznicë, Serbi, e filloi bisedën me shumë hezitim. Sado që isha i kujdesshëm dhe profesional në bisedë, emocioni i habisë, gradualisht iu shndërrua në nervozë. Nuk e fshihte. E kishte njohur policin e vrarë. Fatonin e ke këtu prapa teje. As një metër larg! – me shikonte në sy, duke folur. Shko në stacionin e policisë. Po të presin.” – ishte lamtumira e tij!”, ka thënë Koci.
Koci ka thënë për Tëvë1 se autoritetet serbe po kërkojnë analiza shtesë për të identifikuar trupin e Faton Hajrizit.
Derisa, ka shtuar se nuk i është lejuar që ta shohë trupin, pasi i është thënë se është i dëmtuar dhe i mbyllur hermetikisht.
“Nga mëngjesi isha në takim me polici dhe prokurori dhe si përfundim tash e pata një kërkesë pak të çuditshme për momentin për shkak se tani po kërkohet që të merret pështyma e nënës së Fatonit në mënyrë që aty të merret materiali gjenetik dhe të krahasohet më pas me materialin gjenetik të Fatonit”, ka thënë ai.
Ndërkaq, njohësi i çështjeve politike Azem Vllasi, ka thënë se situata me rastin e Faton Hajrizit i ngjanë filmit horror. Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë e inskenimit të rastit nga shteti serb.
Ndërkaq, avokati Naim Rudari ka deklaruar se janë të pakta mundësitë e Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd dhe avokatit Arianit Koci për kthimin e trupit të Faton Hajrizit në Kosovë.
“Ai ndoshta mund të jetë një komunikues eventualisht një ndihmës për zyrën ndërlidhëse në Beograd, por mundësitë edhe të zyrës ndërlidhëse edhe të kolegut Koci janë të pakëta për të bërë dicka duke e ditur qëndrimin e Serbisë ndaj Kosovës. Serbia dihet që nuk bashkëpunon në asnjë vijë institucionale me Kosovën dhe as Oda e Avokatëve të Kosovës nuk bashkëpunon me atë të Serbisë”, ka thënë Rudari.
Eksperti i sigurisë dhe ish-zëvendësministri i Brendshëm Selam Shkodra, ka theksuar se Serbia do të mundohet ta mbajë së më gjatë trupin e Faton Hajrizit për ta shfrytëzuar në rrafshin politik.
“Kjo i duhet Serbisë, një levë për ta shfrytëzuar para bashkësisë ndërkombëtare që ta qes në rrafshin se dhe Kosova ka pasë njerëz që kanë kryer akte ‘terroriste siç po thonë ata’ dhe i referohen edhe të kaluarës, relacionet që ka pas i ndieri edhe me figurat e UÇK-së. Epilogu i fundit i tyre synohet të jetë që ta dëmtojnë Kosovën në rrafshin ndërkombëtar”, ka deklaruar Shkodra.
Në mungesë të informatave të sakta nga Serbia, Kosova nuk i beson autoriteteve serbe që thonë se shtetasi nga Kosova që u vra në Lloznicë të Serbisë më 19 korrik është Faton Hajrizi.