​PDK merr nismën për shkarkimin e Bordit të RTK-së, kërkon edhe hetime për AKI-në

Aktuale

​PDK merr nismën për shkarkimin e Bordit të RTK-së, kërkon edhe hetime për AKI-në

Më: 27 korrik 2024 Në ora: 15:15
Vlora Çitaku

Partia Demokratike e Kosovës ka ndërmarrë nismën për shkarkimin e Bordit të RTK-së në Kuvendin e Kosovës dhe se grupi parlamentar i kësaj partie tashmë ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve.

Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku në një konferencë për media tha se mocioni për shkarkimin e bordit do të dorëzohet në fillim të javës së ardhshme.

Çitaku: Partia në pushtet po lufton lirinë e mediave

“RTK nuk duhet të shndërrohet në instrument të pushtetit për të projektuar, organizuar dhe transmetuar shpifje, të pavërteta kundër mediave dhe kolegëve të tyre gazetarë me qëllim që t’i shërbejë partisë në pushtet në betejën e saj të dëshpëruar për të luftuar fjalën e lirë”, ka thënë Çitaku.

Ajo ka theksuar se partia në pushtet po tenton të shtypë fjalën e lirë duke u marrë me shpifje e kërcënime ndaj mediave të lira, teksa televizionin publik e ka shndërruar në media partiake.

Çitaku: VV e ka shndërruar RTK-në në media partiake

“Këtë javë përpjekjet e vazhdueshme të këtij pushteti për të cenuar lirinë e medias dhe fjalës së lirë u ngritën në nivele jo vetëm shqetësuese, por edhe të pa tolerueshme. Në këto katër vjet nuk iu mjaftuan kërcënimet, fyerjet dhe shpifjet ndaj gazetarëve, vendimet për mbylljen e mediumeve apo edhe kapja dhe kontrolli i Komisionit të Pavarur të Mediave, por beteja e tyre për shtypjen e zërave të informimit të së vërtetës e morën një trajtë shqetësuese, të rrezikshme dhe të pashembullt duke përdorur televizionin publik për të thurur trillime, shpifje dhe të pavërtetat ndaj disa prej mediave të respektuara të Republikës së Kosovës me të vetmin qëllim që të dezinformojnë publikun, të cenojnë besueshmërinë e publikut ndaj këtyre mediave duke i paraqitur pa asnjë bazë si instrumente që financohen nga Serbia dhe Rusia. RTK dështoi. Këtu qëndroi besnik parimeve themelore të gazetarisë për të verifikuar faktet dhe për të cituar burime të besueshme të lajmeve që i transmeton, sepse nuk iu rezistoi dot presioneve politike të partisë në pushtet, e cila RTK-në e ka shndërruar në media partiake”, ka thënë Çitaku.

Ajo ka theksuar se lajmet e rreme të RTK-së, të cilat citonin një medium boshnjak, artikulli i të cilës sipas saj, ka mundur të shkruhet edhe në zyrat e Lëvizjet Vetëvendosje, përbën cenim direkt të sigurisë dhe jetës së gazetarëve, teksa ka kërkuar edhe hetime nga Prokuroria Speciale ndaj AKI-së.

Çitaku: RTK nuk ka më kredibilitetin e transmetuesit publik nëse nuk merr masa

“Pas gjithë kësaj situate RTK nuk ka më kredibilitetin e transmetuesit publik nëse nuk merr masa ndaj drejtuesve të saj aq më tepër që nga dita në ditë u ndriçuan shumë rrethana edhe nga disa gazetarë të këtij mediumi, të cilët dëshmuan integritet profesional duke u distancuar nga lejmë të tilla shpifëse. Lidhur me këtë jemi dëshmitar se ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së përgjithshme ka ofruar dorëheqjen e saj, por ky lajm shpifës që trazoi themelet e fjalës së lirë në Kosovë dhe zgjoi edhe reagime të panumërta nga organizata të shumta vendore dhe ndërkombëtare e ka një adresë të saktë- Bordin e RTK-së dhe drejtorin e televizionit. Për më tepër, vlerësojmë se përfshirja e zyrtarëve të AKI-së ashtu siç po raportohet duhet të hetohet nga Prokuroria Speciale sa më parë, në mënyrë që të ndriçohet e vërteta. Nëse kjo vërtetohet, do të përbënte një shkelje flagrante nga AKI dhe tejkalim të mandatit kushtetues dhe ligjor”, ka thënë Çitaku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat