Nga 10 deri më 23 korrik janë raportuar 19 raste pozitive me COVID-19.
Këto raste po iu takojnë grup-moshave nga 0 deri në 9 vjeç dhe 70 deri në 79.
Këtë e ka konfirmuar Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë.
Ata rekomanduan praktikumin e masave parandaluese të këtij virusi.
“Autoritetet shëndetësore si masë kujdesi rekomandojnë praktikimin e masave parandaluese si mënyrën më të thjeshtë për të ulur rreziqet shëndetësore nga COVID-19, duke përfshirë infektimin, format e rënda të sëmundjes, shtrimin në spital apo edhe vdekjen”, thuhet nga IKShPK-ja.
Teve1 ishte në vizitë te Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Fushë Kosovë.
Nga aty nuk pranuan të flasin pasi nuk patën informata të sakta sa i përket rasteve me COVID-19.
Ndërsa infektologu Shemsedin Dreshaj, tha se ka të dhëna për rritje të shkallës së përhapshmërisë mirëpo nuk ka të dhëna në lidhje me shkallën e ndërlikueshmërisë.
“Kosova duhet ti nënshtrohet rregullave pandemike të të gjitha vendeve të Ballkanit dhe të Evropës, mendoj që është herët të flasim për variantin e ri të virusit se sa është i mbrojtur nga vaksina që kemi përdorur dhe sa është shkalla e tij e ndërlikueshmërisë dhe e përhapjes”, tha Dreshaj.
Sipas tij, në Kosovë ka gjatë gjithë kohës raste të infeksioneve me COVID pasi Evropa nuk ka qenë asnjëherë pa këtë virus.