​Komisioni Hetimor për tekstet shkollore, paqartësi ligjore për mbledhjen e sotme

Aktuale

​Komisioni Hetimor për tekstet shkollore, paqartësi ligjore për mbledhjen e sotme

Më: 29 korrik 2024 Në ora: 14:32
Foto nga vendngjarja

Pavarësisht mungesës së kryesuesit dhe zëvendëskryesuesit, Komisioni Hetimor për tekstet shkollore ka zhvilluar mbledhjen të hënën, por që e njëjta u konsiderua jo ligjore dhe në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit. Megjithëkëtë, komisioni i përbërë nga deputetë të mazhorancës intervistuan tre ish-ministra të Arsimit, ndërsa ish ministrja Hykmete Bajrami refuzoi të përgjigjet pasi tha se nuk merr pjesë në shkeljen ligjore të deputetëve të pushtetit.

Pasi deputetët opozitarë, përfshirë kryesuesin e komisionit, Shemsedin Dreshaj dhe zëvendëskryesuesi, Ardian Kastrati nuk erdhën në mbledhje, anëtari i komisionit, deputeti i LVV-së, Armend Muja propozoi kolegen e saj deputete, Arjeta Fejza që të kryesoi mbledhjen.

Muja: Ne duhet të fillojmë mbledhjen

“Ne duhet të fillojmë mbledhjen. Unë propozojë që fillimisht të marrim konfirmimin se a do të paraqitet (kryesuesi) dhe zëvendëskryeusesi. Meqenëse s’po lajmërohet dhe dëshmitarët janë në pritje propozojë që ne si komision të propozojmë kryesues të kësaj mbledhje. A mund të propozojë deputeten Arjeta Fejza? Konstatojë se kryesuese e mbledhjes është zgjedhur Arjeta Fejza në mungesë të kryetarit dhe zëvendëskryetarit”, tha ai.

Mirëpo, ky vendim nga ish ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami, e cila është edhe deputete e LDK-së në legjislaturën aktuale u konsiderua jo ligjore dhe në shpërputhje me Rregulloren e Kuvendit.

Ajo tha se kjo mbledhje po mbahet jashtëligjshëm dhe se pa qenë kryesuesi dhe zëvendëskryesusi komisioni nuk mund të mbahet, ani pse munden me qene të pranishëm gjashtë deputetë.

Sipas saj, këtë e dëshmon edhe Administrata e Kuvendit.

Bajrami: Kjo mbledhje po mbahet jashtëligjshëm

“Para se të nënshkruaj dhe të fillojmë unë u njoftova për mbarëvajtjen e komisionit. Jam ftuar këtu në funksion të ish-ministres së Arsimit, mandat që e kam mbajtur prej datës 4 shkurt deri më 4 qershor të vitit 2020. Ju bëj me dije juve dhe opinionit preferojë se ky takim të jetë i hapur, pasi s’kam asgjë për të fshehur. Mirëpo para se të përgjigjem në funksionin e ish-ministres unë jam deputete. Para vetës e kam Ligjin për hetim parlamentar, neni 10 thotë se kryesuesi i komisionit emërohet nga Kuvendit. Kryesuesi zgjidhet nga grupi parlamentar i cili nuk është iniciator i komisionit hetimor dhe nuk i përket partisë të koalicionit qeverisës. Zëvendëskryesuesi emërohet nga Kuvendi me propozim të grupit iniciator të komisionit. Me sa po e shoh prezentë nuk është kryetari dhe as zëvendëskryetari i komisionit. Po më vjen keq kolegë të nderuar, sa dëgjova keni zgjedhur një kryesues tjetër dhe ju keni bërë një shkelje të këtij ligji”, theksoi Bajrami.

Këtë e mohoi deputeti Muja, i cili tha se në bazë të Ligjit për hetim parlamentar, nenin 11, pikës 3 mbledhjet mbahen detyrimisht me ftesën e një të tretës së deputetëve.

Muja: Neni 11 thotë se mbledhjet detyrimisht mbahen me ftesën e një të tretës së deputetëve

“Meqenëse po i referohesh Ligjit për hetim parlamentar është neni 11 pika 3 që thotë se mbledhjet detyrimisht mbahen me ftesën e një të tretës së deputetëve. Në këtë rast nëse ka pasur ndonjë shkelje i takon kryesuesit apo zëvendës kryesuesit sepse kuorumi ekziston dhe mbledhja detyrimisht duhet të mbahet”, deklaroi Muja.

Krahas kësaj deputeti i pushtetit kërkoi që nga mbledhja të largohet një anëtare e administratës së Kuvendit, pasi sipas tij e njëjta pa autorizim po tenton të influencoi për mbarëvajtjen e mbledhjes së deputetëve.

Muja: Të largohet mbledhja një nga anëtaret e stafit të Kuvendit

“Është një nga anëtarët e stafit, Genta jashtë çdo autorizimi ka dal dhe neve si deputetë është mundu me na ifluencu për mbarëvajtjen e kësaj mbledhje dhe ka dalë jashtë. Unë propozojë që e njëjta të largohet nga kjo mbledhje. S’ke autorizime me fol me deputetë individualisht aq më pak me dal në korridor”, tha ai.

Pas kërkesës së Mujës ajo u largua nga mbledhja.

Pavarësisht këtyre dilemave për mbarëvajtjen e mbledhjes së komisionit, deputetët e mazhorancës ftuan si dëshmitarë ish-ministra të Arsimit.

Para deputetëve raportoi ish ministri i Arsimit nga radhët e PDK-së, Arsim Bajrami, i cili ka shërbyer në vitet 2014-2017.

Ai tha se gjatë tri viteve të mandatit të tij tekstet shkollore janë siguruar në pajtim me ligjin. Ish ministri deklaroi se në vitin e tretë qeverisës ka arrit që të sigurojë tekstet shkollore për vetëm 3.5 milionë euro, nga 8 milionë sa ishte në vitin e parë.

Bajrami: Në vitin e fundit sa kam qenë ministër kosto është zbrit në 3.5 milionë euro

“Gjatë kohës sa kam qenë unë ministër për tri vite shkollore janë siguruar tekstet në pajtim me ligjin. Në vitin 2015-2016 është prezantuar sipas mekanizmit apo ligjeve që kanë ekzistuar. Këtë vit kosto totale ka qenë afër 8 milionë, në vitin 2016-2017 është zbritur në 6.7 milionë dhe në vitin e fundit sa kam qenë ministër kosto është zbrit në 3.5 milionë euro që besoj se është kosto më ulët që ka qenë ndonjëherë. Nuk e di pas meje sa ka qenë shpenzimet, por kjo ka ardh si rezultat i një procedure të kujdesshme dhe një udhëzimi administrativ që e kam përpara dhe është bërë me kërkesën time”, deklaroi ai.

Ndërkaq, ish-ministri i Arsimit gjatë viteve 2017-2020, Shyqyri Bytqi, tha se nuk mban mend koston totale të sigurimit të librave, mirëpo shtoi se shpesh herë ka pasur tejkalime të asaj çka është planifikuar fillimisht në Ligjin për buxhetin.

Bytyqi: Ka pasur rritje të kostos së librave pavarësisht planifikimit

“Janë thirr dy shtëpitë botuese dhe mbi bazën e diskutimeve është bërë përzgjedhja e çmimit blerës i librave të atë kohë. Ndërsa procesi i vitit 2019-2020 ka pësuar ndryshime pasi kishte kurrikula të reja të disa klasave të caktuara dhe kishte kaluar në një proces të librave të reja. Përndryshe mënyra siç është siguruar tekstet shkollore ka qenë e njëjta sikur 2018-2019...49:04 Nuk mbaj mend saktësisht shifrat por e di se ka pas tejkalime të asaj çka është planifikuar fillimisht. Ka pasur rritje të kostos së librave dhe çmimet botuese kanë ardh me çmime të larta, mirëpo ka pasur negociata për me ardh te një çmim më real”, theksoi Bytyqi.

Po ashtu edhe ish-ministri, Ramë Likaj tha se ai ka shërbyer në kohën e pandemisë, kur fokus ka qenë hapja e shkollave dhe kthimi i nxënësve në bankat shkollore.

Ai tha se nuk i kujtohet sa ka qenë kosto totale e sigurimit të librave në vitin 2020-2021.

Likaj: Procedurat për blerjen e librave e kemi gjetur

“E para të bëhen të gjitha përpjekjet që shkollat të hapen dhe të mbahet mësimi me prezencë dhe tekstet shkollore me qenë të gatshme me datën 1 shtator. Në atë kohë procedurat ne i kemi gjet, ato kanë vazhduar dhe ka qenë çështje e administratës të MASHT-it dhe sekretarit që janë marrë me këtë”, theksoi ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat