Ish-Presidentja e Kosovës, Afifete Jahjaga ka përgëzuar Gjykatën Themelore të Ferizajt që e ka dënuar me burgim të përjetshëm Dardan Krivaqën dhe 15 vite burgim Arbër Sejdiun për vrasjen e Marigona Osmanit.
Jahjaga theksoi rëndësinë e dënimeve të tilla për kriminelët që shkelin normat ligjore dhe morale të shoqërisë, shkruan teve1.info
Ajo tutje ka shtuar se ndonëse ky dënim nuk mund ta kthejë në jetë Marigonën, por sipas saj është një lehtësim shpirtëror për familjen Osmani.
“Gjykata Themelore në Prishtinë paska marrë vendimin e duhur duke dënuar vrasësin e së ndjerës Marigona Osmani me burgim të përjetshëm ndërsa bashkëkryerësin e veprës me 15 vite burgim. Përgëzoj institucionet gjyqësore të vendit për punën e dinjitetshme dhe të palodhur drejtë zbardhjes së rastit. Dënime të tilla duhet aplikuar ndaj çdo krimineli që thyen normat ligjore dhe morale të shoqërisë sonë”, ka shkruar Jahjaga.
“Familjes Osmani ky dënim nuk do ua kthej në jetë Marigonën, por së paku të jetë një lehtësim shpirtëror, jo vetëm për ata por për gjithë ato familje që presin që vrasësit e fëmijëve tyre ta marrin dënimin e merituar“, shtoi ajo.