Sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca kundër katër të akuzuarve Gëzim, Bedri, Muharrem dhe Fadil Rexhepi.
Të njëjtit 7 vjet më parë patën një konflikt me kusherirët e tyre lidhur me prerjen e një mali, ku mbeti i vrarë një 60-vjeçar dhe u plagosën dy persona të tjerë.
Sot, seanca e shqyrtimit filloi me paraqitjen e fjalës përfundimtare nga prokurori Armend Hamiti.
Sipas Hamitit, aktakuza si në atë kohë edhe tash ka qenë e punuar mirë me të gjitha provat e administruara.
Sipas tij, të akuzuarit apo mbrojtja e tyre nuk kanë arritur të provojnë të kundërtën e asaj që është thënë në aktakuzë.
Kurse, të dëmtuarit Xhavit, Agron dhe Armend Rexhepi kanë mbështetur fjalën përfundimtare të prokurorit.
Kurse, përfaqësuesi i palëve të dëmtuara, Berat Tmava tha se e mbështet pjesërisht fjalën përfundimtare të prokurorit pasi që sa i përket të akuzuarve provat të cilat gjenden në dosje nuk është vërtetuar se të njëjtit kanë veprën penale ashtu siç po pretendon prokuroria.
Sipas aktakuzës së ngritur në maj të 2018, tashmë viktima Sh.R. së bashku me vëllain e tij, tani të pandehurin Muharrem Rexhepi dhe të akuzuarin Fadil Rexhepi, të armatosur shkojnë në shtëpinë e të pandehurve Gëzim, Bedri dhe Pajazit Rexhepi më 26.10.2017.
Sipas Prokurorisë, në këtë datë fillon një përplasje verbale për çështjen e prerjes së malit. Në ato momente i pandehuri Bedri Rexhepi e sulmon fillimisht tashmë të ndjerin me grushte dhe kondak të revoles.
Sipas organit të akuzës, Gëzim Rexhepi niset në drejtim të tyre, pasi që i njëjti në ato momente ishte në ahër duke u kujdesur për bagëtitë, me pushkë automatike shtien në drejtim të tashmë të ndjerit Sh.R., dhe të pandehurve Muharrem dhe Fadil Rexhepi. Nga kjo gjuajtje një plumb e godet tani të ndjerin Sh.R., me ç’rast gjeti vdekjen, kurse Fadil Rexhepi ka mbetur i plagosur. Me këto veprime i pandehuri Gëzim Rexhepi nga Prokuroria po akuzohet për vrasje dhe për veprën penale – vrasje në tentativë, si dhe – armëmbatje pa leje.
Në këtë përleshje, sipas Prokurorisë, vëllai i tanimë të ndjerit Sh.R., Muharrem Rexhepi, nga hakmarrja e paskrupullt me qëllim të privimit nga jeta me armë shtie në drejtim të të dëmtuarit Xhavit Rexhepit, duke e goditur në dorën e djathtë. Me këtë veprim Muharrem Rexhepi akuzohet për vrasje të rëndë në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.
Gjithnjë sipas aktakuzës, në përleshje e sipër Fadil Rexhepi e ka goditur me grushte të pandehurin Bedri Rexhepi, e më pastaj me qëllim që ta privojë nga jeta ka shtënë në drejtim të Xhavit Rexhepit duke e goditur me plumb pas shpine, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.
Me këtë Fadil Rexhepi ngarkohet nga Prokuroria për vrasje në tentativë dhe armëmbajtje pa leje. Kurse i pandehuri tjetër Bedri Rexhepi akuzohet për vrasje në tentativë dhe për armëmbajtje pa leje, pasi sipas Prokurorisë, në momentin kur ishte sulmuar nga Muharrem dhe Fadil Rexhepi, kishte arritur të ikte dhe të marrë një armë në ahurin që gjendej afër dhe ka shtënë në drejtim të Muharrem Rexhepit. Tutje, Pajazit Rexhepi akuzohet për dëmtim të pasurisë, por kjo vepër penale ka arritur parashkrim absolut.