Përfundon takimi/ Osmani përmend katër data për zgjedhjet e rregullta - Pse “nuk e lejuan” pjesëmarrjen e Konjufcës në takim, flet presidentja

Aktuale

Përfundon takimi/ Osmani përmend katër data për zgjedhjet e rregullta - Pse “nuk e lejuan” pjesëmarrjen e Konjufcës në takim, flet presidentja

Më: 31 korrik 2024 Në ora: 07:18 Përditësuar në ora: 14:56 më 31.07.2024
Vjosa Osmani

Presidentja Osmani tregon pse “nuk e lejuan” pjesëmarrjen e Konjufcës në takim

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka treguar arsyet se pse në takimin e thirrur me partitë politike nuk ishte i pranishëm ndonjë përfaqësues i VV-së.

Në një konferencë për media, Osmani ka thënë se kryeparlamentari Konjufca ka shprehur gatishmërinë të jetë në këtë takim, por për shkak se ftesa ishte në nivel të kryetarëve të partive politike, parimisht ai nuk mund të ishte i pranueshëm në takim.

“Nuk e kam parë që dikush e quajti bojkot mospjesëmarrjen e Konjufcës në takim. Sic e dini të gjitha partitë kanë qenë të ftuara në nivel të kryetarëve partive. Konjufca e ka shprehur gatishmërinë e plotë që të vijë mirëpo meqeënse të gjitha partitë kanë qenë të informuara, këtë parim ekemi mbajtur për të gjithë, ai me mirëkuptim e ka zbatuar”, ka deklaruar Osmani.

Ndërsa për mungesën e Kurtit në takim, ajo ka thënë se arsyet nuk i din presidenca dhe për këtë duhet të pyetet vetë Kurti.

“Ne nuk i dimë arsyet, mund ta pyesni drejtpërdrejt”, ka vijuar ajo.

Osmani përmend katër datat që mund të mbahen zgjedhjet e rregullta

Pas takimit me partitë politike presidentja Vjosa Osmani ka përmendur katër data që mund të mbahen zgjedhjet  e rregullta.

26 janari, 2 shkurti, 9 shkurti dhe 16 shkurt i vitit 2025 janë datat që mund të mbahen zgjedhjet e rregullta.

“Janë katër data të mundshme për zgjedhje; 26 janari, 2 shkurti, 9 shkurti dhe 16 shkurti. Prandaj edhe diskutimi ynë ishte në kontest të këtyre datave. Nuk kishte ndonjë insistim të tjetër, kishte preferenca për këto data…”, ka thënë Osmani.

Osmani nuk e përjashtuar mundësinë e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, mirëpo sipas saj, nuk pati insistim nga partitë.

“Sa i përket zgjedhjet e jashtëzakonshme mundësia ende ekziston. Caktimi i datës së zgjedhjeve të rregullta nuk e përjashton ligjërisht zgjedhjet e jashtëzakonshme. Megjithatë shpërndarja e Kuvendit kërkon dy të tretat e votave… Sot nuk dukë një disponim I tillë”, ka shtuar Osmani.

Presidentja thotë se ende nuk ka datë për mbajtjen e zgjedhjeve

Presidentja Vjosa Osmani ka bërë të ditur se sot nuk u caktua një datë për mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme nacionale.

Në një konferencë për media, ajo pas përfundimit të takimit me liderët e partive politike ka thënë se ka mbetur të bëhet edhe një analizë e datave që janë folur në këtë takim dhe se do të dalë me një datë që do ta bëjë publike në vijim.

Përfundon takimi i Osmanit me liderët e partive politike, e para e shtetit pritet të mbajë konferencë

Ka përfunduar takimi i presidentes Vjosa Osmani me kryetarët e partive politike të Kosovës.

Pas kësaj Osmani ka paralajmëruar një datë të zgjedhjeve nacionale.

Ajo në hyrjen të takimit ka bërë të ditur se arsye për këtë tubim të liderëve të partive vendore është caktimi i një date për  zgjedhjet e ardhshme nacionale.

Në këtë takim të pranishëm nuk ishin asnjë përfaqësues i Lëvizjes Vetëvendosje.

Osmani tha se ky takim duhet të ndodhë pasi e thotë edhe Kushtetuta e Kosovës.

“Ftesa për këtë takim me kryetarët e partive politike është bazuar në kompetencat kushtetuese të institucionit të Presidencës së Republikës së Kosovës për shpalljen e zgjedhjeve të Republikës”, ka thënë Osmani.

Poashtu, në takim pjesëmarrës nuk ishte edhe kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek.

Presidenca se pranoi Konjufcën në takim: Ftesa ishte vetëm për krerët partiakë

Në takimin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani me krerët partiakë që po mbahet sot për përcaktimin e datës së zgjedhjeve parlamentare mungon përfaqësuesi i VV-së, Glauk Konjufca i propozuar nga qeveria e Kosovës të shkojë në vend të Kurtit.

Kjo pasi presidenca ka thënë se ky takim ka qenë vetëm për kryetarët e partive.

Qeveria e Kosovës ka thënë se ka propozuar kryeparlamentarin Glauk Konjufca të marrë pjesë në këtë takim pasi kryeministri Kurti është në një drekë me ambasadorët që ishte aranzhuar para tre jave.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu në një përgjigje për Dukagjinin ka konsideruar se emri i Konjufcës do të duhej të ishte i pranueshëm.

“Kryeministri po merr pjesë në një drekë me 21 ambasadorë të akredituar në Kosovë, ku është i ftuar si mysafir nderi. Dreka është caktuar me 10 korrik. Konfirmimi nga ana e kryeministrit për këtë drekë është bërë para tre jave. Në pamundësi për të marrë pjesë në orarin e propozuar, kryeministri Kurti ka sugjeruar që LV të përfaqësohet nga nënkryetari i parë i saj, Glauk Konjufca. Gjë që konsiderojmë që do të duhej të ishte e pranueshme. Kryeministri Kurti është i gatshëm të marrë pjesë në çdo takim të ardhshëm në një ditë dhe orë të përshtatshme”, ka thënë Kryeziu.

Takimi në mes të Osmanit e krerëve partiakë tashmë ka përfunduar.

Nis takimi i Osmanit me krerët e partive politike parlamentare, mungon Kurti e Konjufca

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nisur takimin me krerët e partive politike parlamentare për të diskutuar lidhur me caktimin e datës të mbajtjes së zgjedhjeve të rregullta parlamentare.

Në takim nuk janë të pranishëm kryeministri Albin Kurti e as kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Viti 2025 do të jetë vit i rregullt zgjedhor dhe nëse partitë vendosin që të mbahen zgjedhje të rregullta dhe jo të parakohshme.

Pra, me këtë Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti do të jetë Qeveria e parë që nga shpallja e pavarësisë, që do ta përfundojë mandatin e plotë katërvjeçar.

Që një kohë të gjatë, partitë opozitare kanë kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, por më herët gjatë këtij viti dështuan të arrinin pajtim se si të shkohet në zgjedhje./

Presidentja Osmani takon sot partitë politike për konsultime për zgjedhjet

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani do t`i presë sot në takim liderët e përfaqësuesit e partive politike, lidhur me konsultimin e përbashkët për caktimin e datës së zgjedhjeve të përgjithshme në Republikën e Kosovës.

Të gjitha partitë e ftuara në takim e kanë konfirmuar pjesëmarrjen.

“Përmes kësaj letre, po ju drejtohem lidhur me konsultimin e përbashkët për caktimin e datës së zgjedhjeve të përgjithshme në Republikën e Kosovës. Në pajtim me afatin e përcaktuar në nenin 66 (2) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 5 (2) të Ligjit Nr. 089L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës (“Ligji”), zgjedhjet e rregullta për Kuvend, duhet të mbahen përgjatë periudhës 26 Janar - 16 Shkurt 2025. Rrjedhimisht, në pajtim me përcaktimet e Kushtetutës dhe Ligjit, më 26 korrik 2024, fillon zyrtarisht faza brenda së cilës mund të zhvillohen konsultimet për caktimin e datës së zgjedhjeve.

Në këtë drejtim, bazuar në kompetencat e mia kushtetuese për shpalljen e zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, ftoheni në takim konsultativ më 31 korrik 2024, në orën 14:00, në Sallën C301, në Ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në letrën e Osmanit dërguar partive politike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat