Minatorët vazhdojnë grevën, ende s’ka datë se kur u dalin pagat

Aktuale

Minatorët vazhdojnë grevën, ende s’ka datë se kur u dalin pagat

Më: 31 korrik 2024 Në ora: 18:14
Trepça

Është dita e fundit e muajit korrik.

Por Mensur Tupelli i cili tash e 5 vite punon si minator ende nuk e ka marrë pagën e muajit qershor.

Kjo gjendje i ka rënduar jetesën këtij minatori i cili mban 6 anëtarë të familjes.

“Vështirë se jemi në kredi, 60% të pagës e kemi në kredi, 90% të minatorëve janë në kredi,edhe bukën duhet me ble vetë më parë tona, po është problem, gjysma e minatorëve nuk kanë mundësi me ble as bukë. Krejt minatorët frigoriferët thatë i kanë nuk kanë çka hajn tu e shty me borxhe”, shprehet ky minator.

Por jo vetëm Tupelli, pagë nuk kanë marrë qindra minatorë të tjerë në minierën e Stan Tërgut.

Për këtë arsye, tash e 22 ditë ata bojkotuan punën.

Madje të mërkurën, sindikata e minatorëve së bashku me menaxhmentin e kësaj ndërmarrje patën një takim, por nuk pati asnjë zgjidhje për situatën.

“Nuk ka diçka të re, është dashur të punojmë, e kemi qu një draft plan e kështu më radhe por minatori është duke kërkuar pagën gjendja është e rënduar e të gjithë minatorëve pasi po hyjmë në muajin e tretë ku të gjithë punonjësit presin ta marrin pagën e muajit korrik, kurse minatorët nuk e kanë marrë ende të muajit qershor e që është edhe me e keqja brenda pagës edhe pagesa e shujtës se minatorit”, ka thënë Fevzi Ademi nga Sindikata e Minatorëve të Trepçës.

Drejtori i Minierës së Stan Tërgut, tha se vonesat po bëhen për shkak të gjendjes së rënduar financiare.

Por këta po presin që bordi së bashku me Qeverinë e Kosovës të miratojnë planin operativ i cili parasheh daljen nga kriza.

“Unë prej paslufte dhe mas luftës kam punuar por një situatë të tillë asnjëherë nuk e kemi parë në këtë gjendje. Plani parasheh që për 5 muajt e ardhshëm mos me pas vonesa në pagë, me i kthy na normalitet të punës dhe kanal dale me kthy punës”, tha Shyqyri Sadiku- drejtor i minierës së Stan Tërgut.

Brenda një ditë sipas drejtorit të minierës Trepça, për shkak të ndërprerjes së punës, po humbasin rreth 40 mijë euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat