“Nga një intelektuale u bë një falltore me batutat e estradës!”/ Çun Lajçi tregon se çka i tha një qytetar për “përçarjen” e krerëve të shtetit

Aktuale

“Nga një intelektuale u bë një falltore me batutat e estradës!”/ Çun Lajçi tregon se çka i tha një qytetar për “përçarjen” e krerëve të shtetit

Nga: M.L. Më: 2 gusht 2024 Në ora: 11:23
Çun Lajçi

Aktori Çun Lajçi ka reaguar në një mënyrë interesante pas debateve të fundit ndërmjet krerëve të shtetit, përkatësisht mos pranimit të Presidentes Vjosa Osmani që në takim me subjektet politike të merrte pjesë nënkryetari i LVV-së Glauk Konjufca dhe jo kryetari Albin Kurti.

Lajçi ka treguar se edhe qytetarët po e pyesin se çfarë kanë krerët e shtetit ndërmjet vete.

“Kur e shkrepi telefonin më tha: - Çfarë ka kjo halla Presidente që tallet me Donikën? Ku po i dhemb hallës që s’e pranoi Glaukun në takim? E sheh se çfarë i ndodhë shqiptarit kur i rritet tepër mendja! Nga dega bie në baltë e kurrë më s’i kthehet shkëlqimi! Nga një intelektuale u bë një falltore me batutat e estradës! Për Presidenten ti nuk ekziston! Ajo nuk i citon shkrimet e librave të tu, por llafet e çikave të estradës! Madje ato i dekoron Presidentja, jo ty e Enverin që e lartësuat te yjet!”, tregon Lajçi bisedën me një qytetarë gjersa ishte duke ia prezantuar librat e tij.

Postimi i plotë:

Ku po i dhemb hallës që s’e pranoi Glaukun në takim?

Ata rrinë dy hapa larg kuferit. Zonjat afrohen me naze dhe i shfletojnë librat. Ata, burrat pra, i shikojnë vranët gratë e tyre. Nuk flasin, por fytyrat tregojnë se e kanë humbur durimin.

Po mos të ishte shitësi që i shikon, ata do t’u bërtisnin grave: - Ec, ç’po shikon?! Ç’të duhen librat! Kush do t’i lexojë librat e këtij rrebeli! S’e sheh? Ky u plak me një palë mend; - vetëm në rini, vetëm në pleqëri! Herë me sharki, herë me lahutë! Artist ma, artist, asgjë më shumë. Cirkusant, hajgarexhi që të bën me qeshur ose me quajtur. Çfarë di ky të shkruajë libra! Ec, hiqu zhgarravinave të tij!

Këtë e lexoj shumë herë në fytyrat e burrave që ndalojnë te kuferi me libra!

Njërit i thashë: - Afrohu lum miku, afrohu, se librat s’janë grejza me të therur, as gjarpërinjë me të helmuar! Afrohu, njësoj siç afrohesh te mollat, dardhat, qershitë, rrushi! Madje deri sa shitësi e mbush qesen, ti hajnisht i fut shpejt e shpejt në gojë nga dy-tri kokrra rrush! Edhe librat kanë qejf me i shfletuar! Të paktën u shkundet pluhuri!

Lëre gruan t’i shikojë, se shikimi është pa para! Ajo mbase ka qejf t’i lexojë! Asaj mbase nuk i dhimbsen 15 euro!

Mirë e ke, tha, por unë s’jam për leximin. Kurrë libër lexuar s’kam. S’kam kohë me humbur mbas librave se s’pret puna!

Vëmendjen ma tërhoqën zinxhirët e trashë të arit në qafën e tij dhe byzylyku me orën e arit të bardhë!

Tjetri erdhi dhe ma vuri dorën rreth qafës. - Të dua shumë, më tha. Çdo shkrim tëndin e lexoj në Facebook! A ta bëjmë një selfie?

Bëre ore, pse jo, i thashë!

Kur e shkrepi telefonin më tha: - Çfarë ka kjo halla Presidente që tallet me Donikën? Ku po i dhemb hallës që s’e pranoi Glaukun në takim? E sheh se çfarë i ndodhë shqiptarit kur i rritet tepër mendja! Nga dega bie në baltë e kurrë më s’i kthehet shkëlqimi! Nga një intelektuale u bë një falltore me batutat e estradës! Për Presidenten ti nuk ekziston! Ajo nuk i citon shkrimet e librave të tu, por llafet e çikave të estradës! Madje ato i dekoron Presidentja, jo ty e Enverin që e lartësuat te yjet!

Ky iku. Gruaja i bërtiti: - Më jep 30 euro se dua t’i marr dy libra!

Unë shkrova: - Sa mirë që zonjat tona lexojnë, sepse ato janë shtyllat e shoqerisë dhe edukatoret e fëmijëve tanë!

02.08.2024

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat