Profesori dhe analisti politik Binak Maxharraj, ka reaguar për incidentin e djeshëm në Aeroportin e Shkupit, ku u përfshi presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.
Maxharraj ka hedhur dyshime se në këtë skandal është e përfshirë edhe ndonjë “dorë e zezë” serbe, përcjell Bota sot.
Në reagimin e tij, analisti ka treguar katër hapat që duhet të ndërmarrin institucionet e Kosovës, për këtë rast, ku sipas presidencës së Kosovës, sigurimi i Aeroportit të Shkupit ka tentuar t’ia marrë telefonin personal Osmanit dhe ka tentuar ta shtyjë fizikisht.
Reagimi i plotë i Maxharrajt, në Facebook:
Skandal diplomatik në Shkup: A mos është përzier këtu edhe ndonjë “dorë e zezë” serbe?
Në këtë rast, nuk e përjashtoj mundësinë që në këtë skandal të jetë e përzier ndonjë “dorë e zezë” serbe.
Dje në Aeroportin Ndërkombëtar në Shkup, ndodhi një incident i paprecedentë, kur Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani u sulmua nga vagabondët e sigurimit të shtetit të Maqedonisë. Deshën ta kontrollojnë çantën e saj, por edhe tentuan edhe t’ia rrëmbejnë telefonin personal.
I dolën zot personat që e përcillnin dhe siguronin Presidenten. Ky është një akt barbar, i cili nuk ka ndodhë asnjëherë, ç’prej se Kosova është bërë shtet sovran dhe i pavarur.
Shtohet pyetja e neglizhencës së reagimit të shtetit të Maqedonisë se Veriut, çka lë me kuptuar se vallë a mos është përzier këtu edhe ndonjë “dorë e zezë” nga Serbia, për qëllime të caktuara. Për të mos zgjatur më shumë unë mendoj:
Së pari, Ministria e Punëvë të Jashtme të Kosovës, duhet rreptësisht t’i dërgojë notë proteste shtetit të Maqedonisë së Veriut, t’i kërkojë sqarim se si është i mundur një skandal i tillë diplomatik në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, pse ndodhi ky skandal diplomatit edhe përkundrejt imunitetit diplomatik që gëzonte presidentja Osmani.
Së dyti, organet shtetërore të Kosovës, Qeveria, Presidenca dhe Diplomacia, urgjentisht dhe zyrtarisht të njoftojnë, të alarmojnë Bashkësinë Evropiane në Bruksel për aksidentin dhe sulmin në fjalë ndaj presidentes së Kosovës,
Së treti, Ministria e Punëve të Jashtme, duhet urgjentisht nëse nuk e ka bërë deri më tani, ta terheqë ambasadorin e saj në Shkup deri në sqarimin e plotë të rastit.
Së katërti, duhet urgjentisht që shteti dhe qeveria e Maaqedonisë, t’i kërkojnë falje për këtë incident, skandal diplomatik.
Pas zgjedhjeve të fundit në Maqedonin e Veriut po sillen re të zeza serbe, siç është kontrolli i liqenit të Ohrit nga xhandarmëria serbe, prandaj edhe në këtë rast nuk e përjashtoj mundësinë që edhe në këtë skandal të jetë e përzier ndonjë “dorë e zezë” serbe.