Zv/kryeministri i RMV: Po punojmë që ish-ushtari i UÇK-së të kthehet shpejt në shtëpi

Aktuale

Zv/kryeministri i RMV: Po punojmë që ish-ushtari i UÇK-së të kthehet shpejt në shtëpi

Më: 2 gusht 2024 Në ora: 14:53
Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti. Foto | Izet Mexhiti / FB

Gjatë ditës së djeshme u njoftua se ish-ushtari i UÇK-së, Blerim Ramadani, i arrestuar në Shkup me urdhër-arrest nga Serbia, është liruar nga paraburgimi.

Megjithatë, ai ende nuk do të mund të vijë në shtëpi, meqë vendimi i Gjykatës e obligon atë të qëndrojë brenda territorit të Republikës së Maqedonisë së Veriut deri në një vendim të ri.

Për rastin e Ramadanit, sot foli edhe zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, i cili tha se po punohet në kthimin e tij në shtëpi.

“Gjatë ditës së djeshme u lirua nga paraburgimi ish ushtari i UÇK-së. Ne po punojmë intensivisht që shumë shpejt ai të kthehet në shtëpi”, tha Mexhiti në një postim në Facebook.

Ai akuzoi BDI-në se po prodhon “kriza artificiale” në mënyrë “që të minimizohet fakti se ish-ushtari i UÇK-së u lirua nga paraburgimi si rezultat i punës tonë në institucione”.

“Kriza artificiale” që iu referua zëvendëskryeministri Mexhiti ka të bëjë me incidentin me presidenten Vjosa Osmani në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat