Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Xhavit Haliti kërkon nga Qeveria e Kosovës që urën e Ibrit në Mitrovicë ta hapë vetëm në koordinim me aleatët, në të kundërtën ekziston rreziku që aty të vendosen trupat e KFOR-it dhe ura sërish të mbyllet për qarkullim.
Haliti thotë se dialogu me Serbinë do të vazhdojë status-quo pasi palët s’kanë vullnet për zbatim të Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksin e Ohrit.
Haliti: Ura e Ibrit duhet të hapet për qarkullim në koordinim me aleatët
“Ky është qëndrim i ditur botërisht i deklaruar disa herë nga institucionet publike dhe zëdhënësit e BE-së që ura e Ibrit duhet të hapet në kuadër të procesit të dialogut. Ne po jetojmë në disa rrethana të çuditshme ku qeveria është orientuar të merret vetëm me veriun, ndërsa ajo që kemi fituar është që të lahemi vetëm në liqenin e Ujmanit dhe t’i dërgojmë pushuesit për t’u freskuar, por duke u kujdesur me mitraloza. Sidoqoftë ura e Ibrit nuk duhet të krijojë probleme...Me hap urën edhe me mbyllë nuk është mirë. E dyta, ne nëse veprojmë pa u marrë vesh edhe me EULEX, KFOR dhe QUINT-in është problem, pasi mundet me u vendos KFOR-i në urë dhe mund të ketë probleme mes Policisë së Kosovës dhe qytetarëve të Kosovës në veri”, thotë ai.
Sipas tij, palët në dialog janë pozicionuar gabimisht andaj edhe e ardhmja e këtij procesi mbetet e paqartë.
Haliti: Palët në dialog janë pozicionuar gabimisht
“Të dy palët janë të pozicionuar gabimisht. Presioni nga bashkësia ndërkombëtare nga QUINT-i nuk është presionit që i detyron të dyja palët. Në kushtet dhe rrethanat politike që jemi edhe evropianët dhe amerikanët janë në përpjekje për ta bindur Serbinë që të largohet nga linja që e ka me Rusinë dhe këtë rast që me bind Serbinë t’i kryejë obligimet e veta në raport me Kosovën...Çka kemi ne me letrën. Nëse Bashkimi Evropian ndikohet nga letra e Bërnabiq, atëherë BE-në e ka marrë ‘pusi’. Edhe unë e ti mund t’i shkruajmë letra BE-së, por kush merret me letrat tona. Bërnabiqit i kanë thënë shkruaje një letër dhe aq është ajo punë”, tha Haliti.
Duke folur për presionin ndërkombëtar për dërgimin e draft-statutit të asociacionit të propozuar nga BE-ja në Kushtetuese, Haliti thotë se qeveria duhet të lëvizë në këtë drejtim, derisa shton se kjo çështje do të vazhdojë të jetë kusht për anëtarësimin në Këshill të Evropës.
Haliti: Asociacioni kusht për anëtarësim në Këshill të Evropës
“Nëse e lexojmë Kushtetutën e Kosovës asgjë s’ka jashtë asaj kushtetute. Disa kompetenca, çka i japin dhe çka nuk i japin nuk e di. Por problemi është më shumë egocentrist i politikanëve të Kosovës edhe në të kaluarën. Ne kemi nënshkruar marrëveshjen, me qenë në terezi është dashur të zbatohen marrëveshja menjëherë...Në Këshill të Evropës rrugën Kosova e ka të hapur. Kushti është i ditur publik, ti e qet hapin dhe ata e qesin hapin”, tha deputeti opozitar.
Krahas këtyre, Haliti thotë se në bazë të indikacioneve Milan Radoiçiq, përgjegjësi i sulmit terrorist në Banjskë mund të arrestohet së shpejti në Serbi, para vizitës së presidentit së Francës, Emmanuel Macron.
Haliti: Radoiçiq mund të burgoset së shpejti në Serbi
“Ndodhi sulmi në Bansjkë dhe në vazhdimësi po kërkohet që të burgoset Radoiçiq dhe të sillet në Kosovë, por me sa kam informata unë pas disa ditësh do të jetë Macron në vizitë në Beograd dhe Serbia mund të bëjë formalisht një arrestim të Radoiçiq për veprimet që i ka bërë, por unë po besoj se ata janë përgatitur që ta shfajësojnë Radoiçiqin dhe ta fajësojnë dikë tjetër”, përfundon Haliti.