Zyrtarë të VV-së insistojnë në hapjen e Urës së Ibrit, opozita kërkon koordinim

Aktuale

Zyrtarë të VV-së insistojnë në hapjen e Urës së Ibrit, opozita kërkon koordinim

Më: 3 gusht 2024 Në ora: 19:52
Ura e Ibrit, Mitrovicë

“Qeveritë tona në konsultim me NATO-n nuk mund ta mbështesin asnjë ndryshim të statusin aktual të urës së Mitrovicës, në këtë kohë”.

Ky është mesazhi i QUINT-it dhe NATO-s, të cilin e transmetoi një ditë më parë, ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, pas takimit me kryeministrin Albin Kurti.

Megjithatë nga ajo çka po proklamohet prej zyrtarëve të partisë në pushtet, një gjë hapja e plotë e urës pritet të ndodhë shumë shpejt.

Hapja e saj, pavarësisht qëndrimit të aleatëve, sipas deputetit Alban Bajrami, nuk ka se çka të ketë pasoja për Kosovën.

“Autoritetin e plotë dhe të drejtën e ushtrimit të veprimtarisë e ka shteti i Kosovës, ushtarët e KFOR-it dhe në momentin e parë që janë përfunduar të gjitha vlerësimet, ura do të jetë e hapur edhe për qytetarët”, ka thënë Alban Bajrami, Deputet i LVV-së.

Që nga pas lufta, mu në mes të kësaj ure qëndrojnë vazhdimisht si masë sigurie pjesëtarë të KFOR-it, misionit të NATO-s në Kosovë.

E, pa u dakorduar me aleancën ushtarake veriatlantike dhe aleatë të tjerë, sipas deputetit të PDK-së, Xhavit Haliti, nuk duhet të merret asnjë veprim.

Haliti: Ura e Ibrit duhet të hapet për qarkullim në koordinim me aleatët

“Nëse veprojmë pa u marrë vesh edhe me EULEX, KFOR dhe QUINT-in është problem, pasi mundet me u vendos KFOR-i në urë dhe mund të ketë probleme mes Policisë së Kosovës dhe qytetarëve të Kosovës në veri”, ka thënë Xhavit Haliti, Deputet i Partisë Demokratike të Kosovës.

Por, asamblisti i Kuvendit Komunal të Mitrovicës Veriore, Betim Osmani thotë se parterët ndërkombëtarë duhet të jenë më të qartë në arsyetimin e kërkesës së tyre që ura të mbetet e mbyllur.

“Nëse këto shtete e shohin si problem atëherë të na tregojnë edhe si qytetarë, po edhe si institucione çfarë dojnë të bëjmë që ura të hapet, nuk është normale që ura të jetë e mbyllur tash e 25 vjet”, ka thënë Betim Osmani, Asamblist në Mitrovicë të Veriut.

SHBA dhe shtetet e QUINT-it insistojnë që çështja e hapjes së urës të diskutohet në dialogun me Serbinë, gjë për të cilën janë kategorikisht kundër Qeveria dhe presidentja Vjosa Osmani.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat