Policia jep detaje e fundit për operacionin e zhvilluar në zyrat postare në veri

Aktuale

Policia jep detaje e fundit për operacionin e zhvilluar në zyrat postare në veri

Më: 5 gusht 2024 Në ora: 15:06 Përditësuar në ora: 17:36 më 05.08.2024
Zyrtarë policorë te objekti i Postës së Serbisë në Mitrovicë të Veriut.

“Ka operuar në mënyrë ilegale”, ARKEP reagon për mbylljen e objekteve të Postës së Serbisë në veri

Autoriteti Rregullativ për Komunikime Elektronike ARKEP, ka reaguar pasi Policia e Kosovës mbylli 9 objekte të Postës së Serbisë në Kosovë.

Në një komunikatë për media, ARKEP ka bërë të ditur se Posta e Serbisë, ka vepruar në mënyrë ilegale në Kosovë.

Postimi i plotë:

Ndërlidhur me operimet ilegale në tregun e shërbimeve postare

Autoritetit Rregullativ për komunikime Elektronike dhe Postare (tutje; Autoriteti ose ARKEP) sipas Ligjit Nr. 06/L-038 për shërbime postare, (tutje; LSHP) është përgjegjës për rregullimin dhe mbikëqyrjen e ofrimit të shërbimeve postare në Republikën e Kosovës.

Bazuar në Ligjin për shërbime postare, përkatësisht nenit 16 paragrafët 1 dhe 2, përcaktohen qartë kriteret për ofrimin e shërbimeve postare në Republikën e Kosovës.:

Çdo person fizik ose juridik mund të ofrojë shërbime postare në Republikën e Kosovës, në përputhje me dispozitat e këtij ligji.

Ofrimi i shërbimeve postare në Republikën e Kosovës bëhet sipas autorizimit të lëshuar nga Autoriteti.

Pra rrjedhimisht çdo person fizik ose juridik, i cili dëshiron të ofroj shërbime postare në Republikën e Kosovës, duhet të pajiset me Autorizim nga ARKEP.

Për informimin tuaj, në Republikën e Kosovës operojnë gjithsejtë njëzet e tetë (28) operator postar të autorizuar nga ARKEP, të cilët janë të regjistruar në regjistrin e operatoreve postar i cili është i publikuar në ueb faqen e Autoritetit, në linkun; https://www.arkep-rks.org/Page/54 .

Përveç operatorëve postar të autorizuar në Republikën e Kosovës, ka operuar edhe Posta Serbe (JP Pošta Srbije), pa ndonjë autorizim nga ARKEP, pra në mënyrë ilegale dhe ka ofruar shërbime kryesisht në vendbanime me shumicë të komunitetit serb.

Çështja e operimit të postës serbe (JP Pošta Srbije) në të kaluarën është tentuar të zgjidhet në kuadër të dialogut në Bruksel, por si pasoj e kundërshtimit nga pala serbe, kjo çështje asnjëherë nuk është trajtuar edhe pse është përmendur në ‘Marrëveshjen për Telekomunikacion’ (Ref. Marrëveshja për Telekomunikacion, e vitit 2013), përkatësisht në pikën 5, në të cilën shprehimisht thuhet:

“Ndonëse shërbimet postare nuk kanë qenë pjesë e këtyre diskutimeve, të dy palët janë pajtuar ti diskutojnë ato në një fazë të mëvonshme”

Pra meqenëse është lënë që kjo çështje të diskutohet në një fazë të mëvonshme, deri më sot nuk ka patur iniciativë për fillimin e bisedimeve për zgjidhjen e kësaj çështje, apo edhe ndonjë veprim konkret për ndalimin e operimit të postës serbe (JP Pošta Srbije).

Për më tepër ky subjekt NUK figuron të jetë i regjistruar në ARBK, pra rrjedhimisht nuk posedon Certifikatë Biznesi, Numër Fiskal etj.

Lidhur me operimin ilegal të postes serbe ARKEP në vazhdimësi ka bashkëpunuar dhe shkëmbyer informata me Institucionet relevante të Republikës së Kosovës dhe konform përgjegjësive që ka është e gatshme të ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e ligjit dhe rregulloreve në fuqi.

Mbyllja e nëntë zyrave postare në veri, Elshani: Operacioni ka kaluar i qetë

Policia e Kosovës ka konfirmuar se i ka mbyllur nëntë objekte të Postës së Serbisë në veri, përmes një aksioni të nisur më herët gjatë ditës.

Se si rjedhi deri tek kjo ngjarje, zëvendësdrejtori i Policisë në veri, Veton Elshani, tregon se pranuan një informatë nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP).

“Ne kemi pranu një informacion nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), ata na kanë njoftuar dhe kanë kërkuar që të bëjmë verifikimin e disa lokacioneve disa operatorëve që dyshohej se ishin duke operuar në mënyrë ilegale të pa licensuar dhe të pa regjistruar,” ka thënë Elshani.

Pas verifikimit të këtyre lokacioneve që ishin të sakta, Elshani thotë se njoftuan prokurorin.

“E kemi informu prokurorin dhe në komunikim e bashkëpunim me prokurorin këto 9 objekte-biznese janë mbyll dhe ky rast hetohet nga krimet ekonomike.”

Ndërsa se si rjedhi ky operacion, Elshani thotë se nuk pati ndonjë problem, pos në njërin lokacion ku dy persona u dërguan në stacion policor për prishje rendi.

“Nuk ka pasë ndonjë problem, një rast në Leshak e kemi mar dy persona i kemi dërgu në stacion policor për arsye se kanë qenë të dehur dhe kanë bërë prishje të rendit dhe qetësisë publike, mirëpo operacioni komplet ka kaluar i qetë,” shtoi Elshani.

Elshani thotë se situata në veri është e qetë dhe delikate sidoqoftë ai shton se Policia e Kosovës është në secilin vend në veri dhe thotë se është me rëndësi për Policinë e Kosovës që të mund të reagojnë në secilin vend.

Në aksionin e sotëm, të pranishëm në monitorim, Elshani thotë se ishin edhe EULEXI.

“EULEXI janë partner tonë sot EULEXI ka qenë me ne në disa lokacione duke monitoru punën duke parë si i zhvillojmë bastisjet, me KFOR-in kemi bashkëpunim të mirë dhe patrullime të koordinume e të përbashkëta me ta.”

Policia jep detaje për operacionin e zhvilluar në zyrat postare në Veri

Policia e Kosoves sot gjatë ditës është duke realizuar një operacion policor në veri të Kosovës, i cili bazohet në informacionet zyrtare të institucioneve të Kosovës, siç është ARKEP.

Ky operacion po zhvillohet mbi dyshimin se janë duke operuar posta ilegale, të paregjistruara dhe pa liçencë të institucioneve përkatëse të Republikës së Kosovës.

Detajet e hollësishme nga Policia:

KOMUNIKATË PËR MEDIA

Prishtinë, 5 gusht 2024

Policia e Kosovës, sipas detyrës zyrtare dhe autorizimeve ligjore e kushtetuese, po vazhdon angazhimet e saj në ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, si dhe ndërmarrjen e masave policore konform situatës dhe zhvillimeve në nivel vendi, përfshirë veriun e Kosovës.

Sot gjatë ditës është duke u realizuar një operacion policor në veri të Kosovës, i cili bazohet në informacionet zyrtare të institucioneve të Kosovës, siç është ARKEP, mbi dyshimin se janë duke operuar posta ilegale, të paregjistruara dhe pa liçencë të institucioneve përkatëse të Republikës së Kosovës.

Bazuar në informacionet zyrtare kanë filluar hetimet policore në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, ku deri më tani janë identifikuar nëntë lokacione ku funksiononin posta të tilla ilegale.

Të gjitha veprimet policore janë duke u realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente dhe organet e drejtësisë, ku varësisht nga të gjeturat do të ndërmerren masat e mëtejme ligjore.

Aksion policor në objektet e Postës së Serbisë në veri - këto janë detajet

Policia e Kosovës ka konfirmuar të hënën për Radion Evropa e Lirë se është duke u zhvilluar një aksion policor në veri të vendit, përkatësisht në objektet e Postës së Serbisë.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë se aksioni ka nisur pas informatës së pranuar nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) se në territorin e Kosovës po operojnë operatorë ekonomikë pa licencë dhe që nuk janë të regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK).

“Informacioni ka rezultuar të jetë i saktë me ç’rast Policia ka njoftuar Prokurorin e Shtetit dhe tutje vazhdojmë sipas autorizimeve të tij”, është thënë mes tjerash në përgjigje.

Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) është organ rregullator në fushën e komunikimeve elektronike dhe të shërbimit postar, i cili mbikëqyr kuadrin rregullator të përcaktuar nga ligji për komunikimet elektronike, nga ligji për shërbimin postar dhe nga politikat e zhvillimit.

Posta e Serbisë në Kosovë kryen pagesa të ndryshme që serbët në Kosovë i marrin si ndihma prej buxhetit të Republikës së Serbisë.

Aty përfshihen pagat, shtesat për fëmijë, pensionet, dhe ndihma shtesë.

Gjithashtu, përmes Postës së Serbisë, në Kosovë kryhen edhe pagesa të ndryshme për shërbimet që marrin qytetarët nga institucionet paralele që funksionojnë sipas sistemit të Serbisë, për shembull, pagesa për nxjerrjen e dokumenteve serbe, pagesa për provime, dërgesa të parave, e tjera.

Përveç komunave në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – Posta operon edhe në zonat e banuara me serbë, në jug të Ibrit.

Puna e Postës është vështirësuar prej fillimit të këtij viti, për shkak të një vendimi të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), i cili e ka bërë euron si valutë të vetme për kryeje të pagesave me para të gatshme.

Kështu, është ndaluar përdorimi i i dinarit serb.

Serbia pretendon se ndan ndihmë në vlerë të miliona eurove për banorët serbë në Kosovë.

Mekanizmi ndërkombëtar pati kritikuar autoritetet e Kosovës për marrjen e këtij vendimi, duke thënë se nuk kanë ofruar alternativa të mjaftueshme për serbët lokalë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat