Shqiprim Pula, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare, ka komentuar deklarimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti gjatë vizitës në Maqedoninë e Veriut, rreth incidentit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani në aeroporti e Shkupit.
Kurti duke e cilësuar si rast të rëndë atë se çfarë i ka ndodhur presidentes tha se janë në pritje të raportit zyrtar.
E sipas Pulës, Kurti u tregua e kujdesshëm dhe kresa e tij nga funksioni që bartë është normale.
“Krerët institucional shtetëror natyrisht që nuk duhet të komentojnë atë çfarë thuhet në media, sepse në media mund të ketë shumë të vërteta por edhe shumë devijime nga ajo çfarë mund të thuhet. Në kuptim të bartjes së funksionit që ka, është shumë normale që të pritet një raport zyrtar përfundimtar, përkundër faktit që një pjesë të ngjarjes secili qytetar i vendit e di , përfshirë edhe zyrtarët institucional”, tha Pula.
Deklarimi i Kurtit nga disa persona në Kosovë u pa si mosbesim ndaj asaj çfarë ka thënë Osmani.
Nga ana tjetër Pula ka vlerësuar se krerët e shteteve duhet t’i sqarojnë këto raste dhe të sigurohen që mos të përsëriten.
“Është në interes që krerët shtetëror t’i sqarojnë këto raste dhe duke garantuar që të mos përsëriten në të ardhmen. Besoj që një gjë e tillë nuk do të përsëritet për faktin se edhe Maqedonia e Veriut që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës kanë pasur një qasje korrekte fqinjësore”, ka thënë Pula.