Gazetari Ermal Panduri ka pranuar letrën e hapur të Mehmet Loci, i cili e sfidoi për një emision live pasi u përmend nga ish të burgosurit politik si pjesëtar i UDB-së.
Panduri e fton Locin për debat të drejtpërdrejtë më 3 shtator, derisa ia bën me dije se do të vazhdojë lakimi i emrit të tij nga të burgosurit politik.
“Mehmet, Kam pranuar letrën tuaj të hapur dhe jam thellësisht i impresionuar nga guximi juaj i pakrahasueshëm! Meqenëse jeni ndjerë i nderuar për emisionin tonë, më duhet t’ju informoj se rrëfimet e të burgosurve dhe torturat e përjetuara nga UDB-ashët do të vazhdojnë deri më 30 gusht. Shumë nga këto janë xhiruar gjatë muajit korrik dhe, si për “rastësi”, emri juaj do të lakohet edhe në disa raste të tjera.
Sa për kërkesën tuaj për një debat të drejtpërdrejtë, ju ftoj të merrni pjesë në emisionin “Debat Plus” më 3 shtator, nga ora 20:30. Mezi pres të shoh se si “ecni vertikalisht” në këtë diskutim”, shkruan Ermal Panduri.