Policia e Kosovës zhvilloi aksion për mbylljen e degëve të Postës së Serbisë, ku u mbyllën nëntë objekte.
Në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq u mbyllën nga tri objekte, në Zveçan dy, dhe një në Zubin Potok.
Nga Policia e Kosovës thanë se aksioni u zhvillua pas informatës së pranuar nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) se në territorin e Kosovës po operojnë operatorë ekonomikë pa licencë dhe që nuk janë të regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK).
SHBA dhe Bashkimi Evropian e kritikuan këtë aksionm duke thënë se ishte një veprim i njëanshëm dhe i pakoordinuar i autoriteteve të Kosovës.
E për këtë çështje, ka folur ish-diplomati, Lulzim Peci, aktualisht drejtor i Institutit Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED).
Si fillim, ai për REL potencoi se reagimet e ndërkombëtarëve rreth veriut, vijnë si pasojë e politikës së tyre.
Peci përmendi faktin se ata nuk dëshirojnë vendime që mund të nxisin tensione, pasi është KFOR, që duhet të interevenojë nëse përshkallëzohet situata.
“Unë mendoj që këto reagime janë rrjedhojë e politikës së bashkësisë ndërkombëtare rreth veriut të Kosovës, ku KFOR-i edhe e ka përgjegjësinë më të lartë për sigurinë në këtë pjesë të vendit. Edhe për këtë arsye ata nuk dëshirojnë që të jenë të tejkaluar për veprime, të cilat merren nga Policia e Kosovës në veri të vendit, duke e pasur parasysh edhe përgjegjësinë e tyre, që e kanë meqenëse, mendimi im është që, ata nuk dëshirojnë të kurthohen në ndonjë tension ndëretnik apo diçka të ngjashme, pa qenë paraprakisht të njoftuar. Kjo sepse, nëse situata eskalon, atëherë është KFOR-i ai që duhet të intervenojë. Mendoj që kjo ka të bëjë me këtë, pra ka të bëjë jo ndoshta me veprimin, me mbylljen e zyrave të poste serbe në veri, sa ka të bëjë me qasjen e Qeverisë së Kosovës”, nënvizoi ai, përcjell “Bota sot”.
Krahas kësaj, drejtori i KIPRED, potencoi se vendimi për mbylljen e degëve të Postës së Serbis është i ligjshëm, por që duhet të bëhet në koordinim me ndërkombëtarët.
“Po, krejt në rregull, po e kemi ligjshmërinë edhe i kemi domethënë palët, të cilat kanë mandat të sigurisë në pjesën veriore të vendit. Edhe, kur vjen puna te zbatimi i ligjit, po krejt në rregull, nuk ka dyshim për atë, mirëpo kjo duhet të bëhet në konsultim edhe në koordinim me ata, të cilët kanë përgjegjësi të sigurisë në atë pjesë të vendit.
Mos të harrojmë që Kosova nuk e ka sovranitetin e plotë edhe derisa KFOR-i e ka këtë mandat, të cilin e ka sot, dihet se si janë gjërat. Edhe këtu qëndron problemi, nuk qëndron problemi te zbatimi i ligjit. Problemi qëndron në atë se a jemi partnerë të besueshëm apo jo? Këtu qëndron, këtu është çështja kyç e këtij problem”, përfundoi Lulzim Peci.