Serbët protestojnë sot në veri, Kurti dhe Vuçiq me akuza kundër – përmendin edhe “luftën”

Aktuale

Serbët protestojnë sot në veri, Kurti dhe Vuçiq me akuza kundër – përmendin edhe “luftën”

Më: 7 gusht 2024 Në ora: 07:45 Përditësuar në ora: 11:07 më 07.08.2024
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq

Protesta e serbëve në Veri nis në ora 11:00

Në orën 11:00 pritet të fillojë protesta e paralajmëruar nga qytetarët serbë në veri të Mitrovicës.

Protesta vjen pas paralajmërimeve nga Qeveria e Kosovës për hapjen e Urës së Ibrit, ndërsa si arsye organizatorët dhanë “gjendjen e rëndë të serbëve në Kosovë”.

Aktualisht në afërsi të objekteve të Urës së Ibrit janë parë të vendosur pjesëtarë të EULEX-it dhe të KFOR-it.

Ndërkaq, Policia e Kosovës është prezente në afërsi të lokacionit ku do të mbahet protesta.

Pjesëtarë të EULEX-it e KFOR-it vendosen mbi objekte afër urës së Ibrit

Mbi objektet në afërsi të urës së Ibrit në Mitrovicë, qysh në orët e mëngjesit janë vendosur pjesëtarë të EULEX-it dhe KFOR-it, ndërsa ekspertët për matjet e stabilitetit të urës të kontraktuar nga qeveria deri tani ende nuk janë parë te kjo urë, raporton RTK.

---------

Veton Elshani, zëvendës drejtori i Policisë së Kosovës për veriun, ka njoftuar se për sot është paralajmëruar një protestë e serbëve në pjesën veriore të Kosovës.

Elshani ka thënë se protesta pritet të jetë e qetë. Siç ka thënë ai, arsyeja e protestës sipas organizatorëve është “gjendja e rëndë e serbëve në Kosovë”.

Ai po ashtu ka deklaruar se do të ketë policë të mjaftueshëm që gjithçka të jetë nën kontroll.

Përndryshe, të martën, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka deklaruar se në jug “do të mblidhen shqiptarët”, duke iu referuar një thirrjeje të Agim Bahtirit që e ka bërë për një “tubim madhështor”.

Vuçiq madje i ka bërë thirrje KFOR-it që t’i mbrojë serbët.

Por, Elshani e ka demantuar këtë, duke thënë se nuk është paralajmëruar asnjë tubim i shqiptarëve në jug.

“Nuk ka asnjë njoftim për një tubim të tillë në jug”, tha Elshani.

Për rastin ka reaguar edhe kryeministri Albin Kurti.

Ai ka thënë se asnjë shqiptar nuk nuk do të marshojë mbi urë, duke e demantuar kështu presidentin e Serbisë, i cili ka deklaruar se “shqiptarët do të marshojnë në Urën e Ibrit”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat