​Vizita në urën e Ibrit, Sveçla: Ne jemi përfaqësues edhe të qytetarëve që protestojnë

Aktuale

​Vizita në urën e Ibrit, Sveçla: Ne jemi përfaqësues edhe të qytetarëve që protestojnë

Më: 7 gusht 2024 Në ora: 16:16
Xhelal Sveçla

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se pret që komuniteti serb të merr pjesë në takimin konsultativ për hapjen e urës së Ibrit, që do të mbahet të enjten në hapësirat e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut. Ai pas vizitës në urën e Ibrit pak kohë pasi përfundoi protesta e komunitetit serbit, tha se urat janë për të bashkuar qytetarët dhe se duhet të diskutojnë nesër të gjitha brengat që mund të shfaqen sa i përket sigurisë.

Krasniqi: Do të kemi një takim me qytetarë

"Do të kemi një takim me qytetarë dhe përfaqësues të ndryshëm të shoqërisë civile për të diskutuar situatën e bashkëjetesës në Mitrovicë të Veriut dhe të Jugut, po ashtu për të diskutuar se cilat janë brengat për hapjen e urës. Sigurisht se ne do t'i adresojmë secilën nga brengat që ngritën më atë diskutim....Ne presim qe të marrin pjesë qytetarë, pasi është një momentum shumë i mirë që të gjithë akterët relevant të jenë aty dhe të diskutojmë hapur për raportet ndër-etnike...Urat janë për t'i lidh qytetarët, qytetet dhe jo për t'i ndarë ata. Prandaj është momentum ideal diskutimi për atë presim që të ketë pjesëmarrje dhe diskutim në takimin e nesërm", tha ai.

Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pasi u pyet nga gazetarët serb, tha se janë përfaqësues i të gjithë qytetarëve, përfshirë protestuesve të sotëm, por edhe qytetarëve të heshtur të cilën sipas tij dëshirojnë lëvizjen e lirë.

Sveçla: Ne jemi përfaqësues edhe të qytetarëve që protestojnë

"Ne jemi përfaqësues të të gjithë qytetarëve, pavarësisht dallimeve. Ne jemi përfaqësues edhe të qytetarëve që protestojnë, atyre të zhurmshëm por edhe qytetarëve të heshtur që kanë nevoja dhe të drejta që nuk i shprehin. Ne jemi përfaqësues edhe të 11 mijë qytetarëve të cilët me 3-4 shkurt të vitit 2000 janë përzënë nga kjo pjesë. Po ashtu edhe jemi përfaqësues edhe të atyre që janë vrarë në vitin 2004, 1999-1998. Ne i mbrojmë interesat e të gjithëve, por gjithmonë duke bazuar në rend dhe ligji", tha ai.

Krasniqi dhe Sveçla vizituan edhe punimet që po zhvillohen nën urën e Ibrit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat