Po bëhen dy muaj që kur minatorët e ndërmarrjes publike Trepça në Stan Tërg nuk i kanë marrë pagat e muajit qershor dhe korrik dhe janë në pritje të tyre.
Megjithatë, nga kompania publike Trepça nuk kanë treguar se kur pritet të bëhet ekzekutimi i pagave të muajit qershor.
Zyrtarja për Komunikim me Publikun në Trepçë, Donika Osmani për KosovaPress thekson se janë duke u angazhuar që ditëve në vijim të ekzekutohen pagat e qershorit.
“Menaxhmenti i Ndërmarrjes Trepça Sh.A. së bashku me Bordin Mbikëqyrës dhe në komunikim të vazhdueshëm me qeverinë janë duke u angzhuar që ditëve në vijim të ekzekutohen pagat e muajit qershor”, tha ajo.
Lidhur me zhvillimet në ndërmarrjen “Trepça”, ditë më parë ka reaguar Qeveria e Kosovës. Kjo e fundit është shprehur se është e përkushtuar për të përkrahur ndërmarrjen “Trepça” si dhe të gjitha ndërmarrjet tjera publike. Megjithatë, nuk ka përmend konkretisht edhe çështjen e mos realizimit të pagave, ose zgjidhjen e kërkesave të minatorëve.