Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, për të tretën ditë me radhë ka shkuar te ura e Ibrit në Mitrovicë.
Në Mitrovicën e Veriut, ai shkoi sot për një takim me qytetarë serbë në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut, ku u diskutua për hapjen e urës.
Në atë takim, Krasniqi shkroi në Facebook se interesimi “ishte i lartë” dhe “pyetjet ishin të shumta”.
“Sot në Kuvendin Komunal të Mitrovicës Veriore, mbajtëm diskutimin publik me qytetarë, media lokale dhe shoqëri civile për të diskutuar për sigurinë në bashkësi, dialogun ndëretnik dhe hapjen e urës e cila do të shërbejë për të lidhur dhe afruar qytetarët e të gjitha etnive të cilat bashkëjetojnë në këtë komunë. Interesimi ishte i lartë dhe pyetjet ishin të shumta, ku për secilen dilemë dhe shqetësim që kishin qytetarët, anëtarët e shoqërisë civile si dhe mediat së bashku me Kryetarin Atiq, nënkryetaren Adancic, zëvendësdrejtorin Elshani dhe shefen e kabinetit të MPB-së Tela, ju përgjigjem duke i siguruar se hapja e urës do të kontribuojë në integrim, zhvillim dhe përafrim në mes të komuniteteve. Me këtë, i jam mirënjohës secilit për kontributin e tyre në këtë diskutim”, shkroi ai.
Krasniqi tha se në Mitrovicën e Veriut, përveç serbëve jetojnë edhe shqiptarë, egjiptianë, boshnjakë, ashkali dhe turq.
“Qytetarët nga lagjja e boshnjakve, qendra e qytetit, kodra e minatorëve, lagjja e doktorrëve, suhudolli, vinarci etj, kanë përmbajtje etnike të ndryshme por probleme dhe sfidat i kanë të njëjta, andaj duhet punë e përbashkët për t’i zgjidhur ato. Së bashku do të sigurojmë që ura mbi ibër të jetë simbol i bashkjetesës dhe sigurisë dhe jo i ndarjes dhe trazirave”, shkroi ai.