​Protesta në Bujanoc, Mustafi: Mesazhi i shqiptarëve ishte i qartë

Aktuale

​Protesta në Bujanoc, Mustafi: Mesazhi i shqiptarëve ishte i qartë

Më: 12 gusht 2024 Në ora: 15:36
Pamje nga protesta

Shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë protestuar sot kundër diskriminimit nga Serbia.

Protesta “Për Identitet dhe Dinjitet” u mbajt në Bujanoc, ku morën pjesë numër i madh i qytetarëve.

“Dija nuk nostrifikohet”, “Stop pasivizimit selektiv” e “Kthema adresën” kanë qenë thirrjet e shqiptarëve, të cilët kërkuan të drejtat e tyre duke refuzuar diskriminimin e vazhdueshëm.

Ragmi Mustafi nga Partia për Veprim Demokratik (PVD) thotë se protesta ka qenë e qetë, pavarësisht provokimeve nga njerëz të ndryshëm.

Në intervistën për KosovaPress, Mustafi thekson se protesta e sotme është revoltë ndaj Beogradit zyrtar, i cili po vazhdon të diskriminojë shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Mustafi: Protesta në Bujanoc, revoltë ndaj Beogradit zyrtar

“Protesta për Identitet dhe Dinjitet e cila është mbajtur sot në komunën e Bujanocit, si revoltë ndaj Beogradit zyrtar, i cili po diskriminon në mënyrë sistematike shqiptarët e Luginës së Preshevës, është organizuar në mënyrë të qetë, janë shpërndarë në mënyrë të qetë dhe ka pasur mesazhe të qarta të cilët janë dërguar edhe për bashkësinë ndërkombëtare e posaçërisht sa i përket edhe shtetit të Serbisë. Ajo që është me rëndësi, shqiptarët e Luginës së Preshevës kërkojnë respektimin e marrëveshjeve të cilat janë nënshkruar nga Qeveria e Republikës së Serbisë dhe përfaqësuesve legjitim të Luginës së Preshevës, njohjen e diplomave nga Kosova menjëherë, ndërprerjen e pasivizimit të adresave dhe kthimit të adresave të gjithë atyre që janë pasivizuar dhe një mori padrejtësish që janë duke i përjetuar dhe që po përballen banorët e Luginës së Preshevës”, deklaron ai.

Mesazhi i shqiptarëve të luginës, siç shton Mustafi ka qenë i qartë dhe se të njëjtit do të vazhdojnë të kërkojnë të drejtat e tyre legjitime.

Mustafi: Numri i pjesëmarrësve në protestë ka qenë solid

“Mesazhi i sotëm është që shqiptarët janë këtu, mesazhi i sotëm është që shqiptarët do të kërkojnë të drejtën e tyre legjitime dhe njëkohësisht do të refuzojnë diskriminimin e Republikës së Serbisë duke u mbështetur edhe në bashkësinë ndërkombëtare, Kosovën dhe Shqipërinë...Numri ka qenë solid i pjesëmarrësve të cilët refuzojnë t’i nënshtrohen Serbisë, refuzojnë t’i nënshtrohen diskriminimit të Serbisë dhe të cilët kërkojnë të drejtat e tyre legjitime, madje ato të garantuara edhe me konventat ndërkombëtare”, shton ai.

Ai shton se ka pasur tendencë për të penguar këtë protestë, me fushata të organizuara nga organet e rendit dhe ligjzbatuese.

Mustafi: Ditë më herët është arrestuar një shqiptar

“Ditëve të kaluara, madje ka pasur një fushatë të organizuar nga organet e rendit dhe ligj-zbatuese. Ato ditë më herët kanë arrestuar një shqiptar për shkak të një komenti në Facebook-un e Bujanovaçka, kanë marrë një pyetje disa shqiptarë, e madje kanë ndaluar disa shqiptarë për të theksuar se përshkallëzimi i situatës çka mund të ndodhë. Gjithashtu ka pasur edhe sulme publike e private që janë adresuar edhe ndaj Këshillit të Bashkësisë Islame të Kosovës në Bujanoc dhe gjithë atyre të cilët që kanë kërkuar që protesta sot të mbahet e madje edhe që të vazhdohet me protesta deri në realizimin e të drejtave tona”, shprehet Mustafi.

Në protestën e sotme të mbajtur në Bujanoc, Mustafi tregon se ka pasur provokime nga njerëz të ndryshëm.

Mustafi: Organet e rendit kanë tentuar në çdo formë të pengojnë këtë protestë

“Kanë qenë disa incidente shumë të vogla, madje minore, por të cilat nuk e zbehin dhe nuk kanë për t’i zbehur as protestat e ardhshme, sepse kërkesat e shqiptarëve janë legjitime. Diskriminimi tashmë është i dëshmuar edhe me raportet ndërkombëtare të Uashingtonit e Brukselit, andaj nuk mbetet tjetër veç që shqiptarët e Luginës së Preshevës të ngrenë zërin për ato çfarë i takon ... Kanë qenë provokime nga njerëz të ndryshëm, qytetarët të cilët nuk kanë rënë pre e atyre provokimeve. Kanë qenë edhe më herët ato që i përmenda përmes organeve të rendit kanë tentuar në çdo formë ta pengojnë dhe ta minimizojnë përmes fushatave të ndryshme. Ka pasur paralajmërime nga më të ndryshmet por që kaloi e qetë dhe pa incidente të theksuara”, përfundon Mustafi.

Në rast se nuk merren parasysh kërkesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, Mustafi thekson se Këshilli Organizativ do të vendos se si të vijojë protestën.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat