Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj ka bërë thirrje për pjesëmarrje në protestën e minatorëve të Trepçës të organizuar për ditën e enjte.
Sipas Molliqajt, për pushtetin e sotëm minatori i Trepçës është bërë “armik”.
Kryetari i PSD-së ka bërë thirrje për pjesëmarrje në protestë pasi që sipas tij mendësia autoritare synim ka nënshtrimin e secilit.
“Minatori i Trepçës ishte udhërrëfyesi i revoltës kundër dhunës sistemore që përjetim gjente tek çdonjëri në vitet e 90-ta. Sot, për pushtetin me kalkulator në dorë e menaxhmentin inert e dashakeq, u bë armik. Nuk ka rëndësi që ai po përjeton trajtim të padinjitetshëm, që ka mbetur pa pagë tash e 2 muaj, që punon në rrezikun më të madh nën tokë, që nuk ka mjete adekuate të sigurisë e ato pak që janë është dashur t’i blejë vetë. Ai është armik. Armiku nuk trajtohet, por luftohet deri në zhdukje. Mendësia autoritare synim ka nënshtrimin e secilit. Prandaj është domosdoshmëri që secili t’i rezistojë tendencës së tillë me çdo kusht. Të enjten, në ora 12:00, në sheshin “Zahir Pajaziti”, minatorët e Trepçës protestojnë për trajtim të dinjitetshëm kundër një pushteti që veç të kundërtën po ia ofron. Ne mbështesim protestën dhe qëndrojmë në solidaritet deri në plotësimin e kërkesave të tyre!”, thuhet në postimin e Molliqajt.