Zekaj e quan të drejtë vendimin e MD-së, që refuzoi t’i japë Serbisë provat për Radoiçiqin

Aktuale

Zekaj e quan të drejtë vendimin e MD-së, që refuzoi t’i japë Serbisë provat për Radoiçiqin

Më: 15 gusht 2024 Në ora: 13:26
Milan Radojiçiqi

Nga Beogradi erdhi kërkesë në Prishtinë që autoritetet nga Kosova t’ia dërgojnë Serbisë provat për Milan Radojiçiqin, i cili udhëhoqi grupin serb që kreu sulmin terrorist më 24 shtator të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit.

Por, Qeveria e Kosovës e ka refuzuar këtë kërkesë.

Gjatë ditës së djeshme, Ministria e Drejtësisë ka thënë se kërkesa është e kundërligjshme.

Avokati Yll Zekaj, i ftuar në emisionin “Rreth e Rrotull”, ka thënë se kjo kërkesë e refuzuar nga Ministria e Drejtësisë është e drejtë.

“Ministria e Drejtësisë me të drejtë ka refuzuar kërkesën e shtetit serb për të ofruar provat, duke arsyetuar në nenin 85 te ligji për bashkëpunim juridik ndërkombëtar, ku në raste të caktuara lejohet edhe refuzimi i kërkesave,” tha Zekaj.

E një refuzim i tillë, Zekaj thotë se lejohet kur me kërkesë të tillë rezikohet të cenohet siguria e shtetit apo të cenohen kredibiliteti i provave.

“Dhe është më se e vërtetuar kur nga shteti i Serbisë kemi pasur trajnimet e këtij grupi terrorist, financimin dhe involvimin në shtetin e Kosovës të këtij grupi, e të gjitha këto përbëjnë vepra të veçanta penale, për të cilën duhet të ndjeken pjesëtarët e këtij grupi,” shtoi Zekaj.

“Nëse prova të tilla dalin nga Prokuroria Speciale dhe i dorëzohen Serbisë, nuk kemi garancion në trajtimin kredibil të këtyre provave,” deklaroi Zekaj.

Sipas tij, është edhe e mundshme që nëse dorëzohen provat “ të bëhet prishja e hetimeve, në këtë rast që është rasti që ka bërë bujë, ku ky rast hyn në kuadër të elementeve të veprave penale të terrorizmit.”

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat