Klinaku: Ramadani bëri mirë që u arratis, pushteti në Maqedoni po përndjek veteranët

Aktuale

Klinaku: Ramadani bëri mirë që u arratis, pushteti në Maqedoni po përndjek veteranët

Më: 15 gusht 2024 Në ora: 15:06
Faton Klinaku

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku, ka thënë se Maqedonia e Veriut kishte për qëllim ekstradimin në Serbi të ish-pjesëtarit të UÇK-së, Blerim Ramadanit.

Klinaku, vlerësoi se Blerim Ramadani ka bërë mirë që është arratisur nga burgu shtëpiak.

“Pasi nga arresti shtëpiak vendosën që ta kthenin në paraburgim me qëllim ekstradimi në Serbi, Blerim Ramadani u arratis dhe bëri shumë mirë”, deklaroi ai.

Klinaku tha se pushteti aktual i Maqedonisë së Veriut po përndjek veteranët e UÇK’së.

“Shteti artificial i Maqedonisë paska lëshuar fletarrest ndaj tij, sepse do që të zbatojë urdhërat e Vuçiqit. Ky pushtet i ardhur në Maqedoni, e që fatkeqësisht në emër të ndryshimit u ndihmua nga Kurti, po i përndjek veteranët e luftës së UÇK-së. Por, le ta kuptojnë se nëse vazhdohet kjo politikë e përndjekjes së shqiptarëve, për çdo eskalim të situatës do të jenë përgjegjës”, ka përfunduar ai.

Ndryshe, Ish-pjesëtari i UÇK-së, Blerim Ramadani nga Kosova, i cili u arrestua muajin e kaluar në kufirin Kosovë-Maqedoni me urdhër të Interpolit të lëshuar me kërkesë të Serbisë, është arratisur nga arresti shtëpiak nga shtëpia e të afërmve në vend. MPB-ja pas arratisjes ka dorëzuar flet-arrest qendror.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat