Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka korrigjuar gabimin e ngutur në një status në Facebook, që për pak e futi në një situatë komike.
Zonja Hajdari kishte publikuar disa fotografi nga vizita e saj në Kamenicë, ku ishte mysafire te kryetari Kadri Rrahimaj. Megjithatë, në postimin e saj të parë, ajo shkroi: “Sot, në vizitë te Kryetari i Komunës së Gjilanit, z. Alban Hyseni”.
Pas disa minutash, ajo e korrigjoi gabimin duke shkruar: “Sot, në vizitë te Kryetari i Komunës së Kamenicës, z. Kadri Rrahimaj.
” Më tej, në statusin e saj, ajo shtoi: “Kryetarin Rrahimaj e përgëzova për progresin e arritur dhe planin praktik për adaptimin e infrastrukturës fizike për funksione të reja, që mbështesin zhvillimin e ndërmarrësisë dhe motivimin e të rinjve në komunën e Kamenicës. U pajtuam për vazhdimin e bashkëpunimit të afërt për shfrytëzimin e mundësive, me mbështetje për të rinjtë ndërmarrës dhe bizneset vendore, nga diaspora dhe ato të huaja, me kontribut në zhvillimin socio-ekonomik të komunës dhe më gjerë,” përfundon postimi i Hajdarit.