Besnik Boletini pasi që ka dorëheqje nga pozita e kryetarit të Bordit të RTK-së, ka dhënë detaje për mbledhjen e fundit të mbajtur sot.
Boletini ka treguar se Radojica Mrdjinac dhe Fatime Lumi votuan kundër zgjedhjes së u.d. Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së, duke treguar se vet Boletini, Arta, Safeti dhe Birolli kanë qenë për.
“Por, kjo u bë e pamundur. Votuan kundër Radojica Mrdjinac dhe Fatime Lumi. I pari dje ishte pro që të votohet kandidati për u.d, e. sot votoi kundër. E dyta kishte qëndrim paraprak kundër. Që nga publikimi i atij artikulli, plani i disa anëtarëve të bordit ishte i qartë, mos të ketë ndëshkim atë ditë. Data 23 korrik kur ftova mbledhje urgjente pas shkrimit joprofesional, na gjeti të ndarë në dysh, ne të fushës së mediave, unë, Arta, Safeti dhe Birolli, ishim të qartë se ai artikull kishte shkelur standardet profesionale, nuk kishte vend në RTK, duhej hequr nga ueb-sajti, duhej kërkuar falje dhe duhej suspenduar të gjithë personat e involvuar”, ka shkruar ai.
Boletini gjithashtu ka folur edhe për suspendimin e Rilind Gërvallës, duke shtuar se kjo u bë e pamundur pasi që Albulena, Dardani dhe Radojica kanë votuar kundër.
“Ne si bord kishim në përgjegjësi suspendimin e drejtorit të kanaleve në gjuhën shqipe, Rilind Gërvalla dhe të sqarohet mirë situata për vendim final. Kjo gjë u bë e pamundur nga tre anëtarët tjerë, ishin kundër kësaj mase, (Albulena, Dardani dhe Radojica). Disa kishin tendenca për ta paraqitur shkrimin si korrekt dhe vetëm si një përkthim. Mendime këto që në fund maten me vota. Megjithatë u dakorduam për një komision profesional që ta zbardhë rastin. Gjatë asaj dite veçse kisha kërkuar ekspertizë të IT-së për rastin. Insistimi i stafit editorial se emrat e dy mediumeve nuk janë përmendur, ishte jobindës. Raporti erdhi. Stafi editorial na kishte gënjyer. Emrat ishin përdorur. Masat nuk po merren. Plani për të penguar masat kulmoi sot”, ka shkruar Boletini.