Dëshmitari Russell thotë se gjatë operacionit më 9 gusht 1999 ishte edhe një viktimë, por që emrin...

Aktuale

Dëshmitari Russell thotë se gjatë operacionit më 9 gusht 1999 ishte edhe një viktimë, por që emrin...

Nga: Bota sot Më: 19 gusht 2024 Në ora: 08:15 Përditësuar në ora: 18:11 më 19.08.2024
Steven Russell

Dëshmitari Russell thotë se gjatë operacionit më 9 gusht 1999 ishte edhe një viktimë por që emrin nuk ia dinte

Dëshmitari Steven Russell pohoi se gjatë operacionit të KFOR-it meë9 gusht 1999 në bujtinën e UÇK-së kishin gjetur edhe një viktime të cilës emrin nuk ia kishte ditur.

“Nuk ia dija unë por kompania e policisë ushtarake e dinte dhe e mbronte identitetin e saj. Unë si veteran luftërash në tri vende dhe kam marrë pjesë në luftime të ndrysmë të egra, unë e di dallimin në mes një gjaku të vjetër dhe një gjaku që është derdhur kohëve të fundit”, tha Russell duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Veselit pas mbarimit të pyetjeve të avokates se Thaçit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Përpara kësaj, Russell tha se një ambient i tillë iu ishte thënë se mund të ekzistonte prandaj edhe kishin vendosur të bëjnë bastisje me shumë forca.

“Na kishin thënë përpara që mund të ekzistonte një ambient i tillë dhe kishim përgatitur shërbimin e vrojtimit paraprakisht. Ky ishte raporti që kishim marr nga Mark Methius nga  policia ushtarake. Bazuar në këtë informacion ne filluam të bëjmë një vëzhgim të ambientit dhe në fund vendosem që të bëjmë një bastisje me shumë forca”, tha ai.

Dëshmitari u pyet se a ishte në dijeni edhe për planin ‘Patkoi’ i cili ishte i organizuar nga Sllobodan Millosheviqi për dëbimin e shqiptarëve.

“Jam në dijeni të kësaj. Është e vërtetuar që të dyja palët kanë bërë gjëra të tmerrshme dhe ne kemi qenë aty për t’i ndaluar këto gjëra të tmerrshme që të ndodhin”, tha dëshmitari.

Me kaq përfundoi pyetjet mbrojtja e Veselit.

Ndërsa në kundërpyetjet e saj, avokatja e Thaçit, Nina Tavakoli i tha dëshmitarit se a ishte në dijeni se Thaçi fliste rregullisht dhe shprehej publikisht për dëshirën  tij për një Kosovë multietnike dhe kundër dhunës ndaj serbeve të Kosovës.

Lidhur me këtë, dëshmitari tha se kjo është ajo që shpresonin.

Më pas, dëshmitari u pyet nëse kishte parë një deklaratë për shtyp të 24 korrikut 1999 të Thaçit pas masakrës së 14 buqëve serbë.

“Ndoshta nuk kam qenë duke parë televizor atë ditë. Ndoshta kam qenë në terren”, tha dëshmitari.

Më pas Tavakoli i tregoi dëshmitarit disa artikuj gazetash ku flitej për vizitat e Thaçit tek komunitetet turke, boshnjakë nga shtatori 1999 e tutje ku kërkonte tolerancë ndëretnike të cilat u pranuan në prova materiale.

​Mbrojtja e Thaçit e ballafaqon dëshmitarin me qëndrimet e tij për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë

Në Dhomat e Specializuara në Hagë kanë vazhduar kundërpyetjet e mbrojtjes për dëshmitarin Steven Russoll. Ish-ushtaraku ka dëshmuar gjatë ditës para trupit gjykues në procesin kundër ish-krerëve të UÇK-së, i shoqëruar nga tre përfaqësues të qeverisë amerikane. Edhe nesër do të vijohet me kundërpyetjet e mbrojtjes për këtë dëshmitarë.

Avokatja Hashim Thaçit, Nina Tavakoli ka pyetur dëshmitarin lidhur me qëndrimet e tij për UÇK-në dhe ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë.

Russoll: Ne po shkonim aty për të zbatuar rezolutën 1244

“Ne po shkonim aty për të zbatuar Rezolutën 1244 që ishte rezultat i ndërhyrjes në sovranitetin e Serbisë në emër të vuajtjes së shkaktuar në provincën e Kosovës dhe mendova që në këtë kontekst ne po ndërhynim në sovranitetin e Serbisë për të zbutur vuajtjen e njerëzimit në provincën e Kosovës, kështu do ta shpjegoja unë”, tha Russel.

Dëshmitari i cili është i shoqëruar me tre përfaqësues të qeverisë amerikane, është pyetur edhe për deklaratën se ‘fushata ajrore e NATO-s nuk kishte qëllim paqeruajtës por më shumë të impononte një rezultat’.

Tavakoli-dëshmitarit: Fjalët tuaja ishin se fushata e bombardimeve nuk ishte një mision paqeruajtës

Tavakoli: Këto janë fjalët tuaja ‘Nuk mendoni që fushata e bombardimeve ajrore të NATO-s, nuk ishte një mision paqeruajtës, ishte më shumë të impononte një rezultat, a ju kujtohet që keni thënë këtë?

Russoll: A mund të më jepni më shumë kontekst sepse nuk më kujtohet.

Mbrojtja: Juve ju është bërë pyetja lidhur me fushatën e bombardimeve të NATO-s, në intervistën që keni dhënë për prokurorin që ju nuk mendoni që është fushatë paqeruajtëse e misionit paqeruajtës.

Russoll: Nuk e di nëse përgjigja është në procesverbal, por mendoj që është e vështirë për forcat ajrore të arrijnë në një përfundim apo të sjellin rezultatin e duhur pa praninë në terren dhe mendoj që ka shumë histori për t’u mbështetur këtë që po them”, u përgjigj ai.

Pas këtyre pyetjeve, ish-ushtarakut amerikan i është shfaqur fjalimi i ish-presidentit Bill Clinton për bombardimet e NATO-s.

Tavakoli: A ishte kjo që tha presidenti në përputhje me njohuritë që kishit ju?

Mbrojtja: A është kjo që tha presidenti Clinton në përputhje me njohuritë që kishit ju për arsyet që NATO ndërhyri dhe Kombet e Bashkuara do të ndërhynin.

Russoll: Besoj që kjo ka qenë ajo që e mendonim të gjithë ne”, tha Russoll.

Avokatja mbrojtëse e Hashim Thaçit i tha dëshmitarit se kishte thënë se gjatë një fjalimi në Gjilan, i mbrojturi i saj ka deklaruar se nuk dëshironte një Kosovë multietnike. Ajo tha se një gjë e tillë nuk është thënë nga Hashim Thaçi.

Gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka filluar më 3 prill të vitit 2023. Ish-krerët e UÇK-së po gjykohen për krime të pretenduara të luftës dhe po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020.

Avokatja Tavakoli-dëshmitarit: Thaçi s’ka thënë se nuk është për Kosovë multietnike ashtu siç keni thënë ju

Nina Tavakoli, avokate mbrojtëse e Hashim Thaçit i tha dëshmitarit Steven Russell se ai më herët ka thënë se gjatë një fjalimi në Gjilan, i mbrojturi i saj kishte deklaruar se nuk dëshironte një Kosovë multietnike.

“Ju thoni se fjalimi i Thaçit ishte armiqësor dhe ishte kundër multietnicitetit, pra që Thaçi nuk parashikonte një Kosovë multietnike dhe që ai ka dhënë një tregues që serbet nuk ishin të mirëpritur”, tha Tavakoli.

Ajo tha se asgjëkund nuk i ka thënë Thaçi gjërat për të cilat pretendon dëshmitari.

“Ai foli për Luginën e Preshevës dhe në ato rajone dhe foli që të vendosnin vetë për të ardhmen e tyre dhe që kjo ishte në kundërshtim me Rezolutën 1244”, tha dëshmitari Russell pasi e dëgjoi sërish fjalimin e Thaçit.

Më pas dëshmitari tha se vazhdon të ketë të njëjtin qëndrim edhe sa i takon pjesës ku kishte deklaruar për Mitrovicën ku sipas tij serbet nuk ishin të mirëpritur atje.

“Interpretimi i Mitrovicës ose mënyra se si e interpretojë unë pjesën e lidhur me Mitrovicën ishte që ai ka folur për problemet dhe shqetësimet që kanë pasur aty ose të paktën interpretimi im është që serbët nuk ishin të mirëpritur aty. Sa i takon kontekstit me të gjerë, mendoj që mund të interpretohet fjalimi dhe këto pjesë të fjalimit që serbet nuk ishin të mirëpritur në Kosovë… megjithatë çështja është që duke pasur parasysh komentet e përgjithshme që kemi dëgjuar atë ditë, unë vazhdoj të them që e kam të njëjtin qëndrim që e kam thënë më herët pavarësisht nëse mund të jetë thënë kjo gjë shprehimisht në fjalim a po jo”, tha dëshmitari.

Russell tha se kishe deklarata ku flitej për një Kosovë pa Serbi.

“Kishte deklarata ku flitej për një Kosovë pa Serbi dhe duhet të kuptoni në kontekst të operacioneve tona në atë kohë ishte konteksti shumë më ndryshe se sot dhe kishim garanci në nivelin tonë kombëtar”, vazhdoi tutje.

Më pas, Tavakoli i tha dëshmitarit që nuk ka asgjë të tillë në fjalimin e Thaçit dhe se nuk pajtohet me atë dhe se nuk ka arsye që të vazhdohet me teje për të diskutuar për këtë çështje.

“Nuk dua të jem e pasjellshme por nuk jam e interesuar për këtë. Ju keni dhënë dëshmi ku keni thënë se keni dëgjuar z. Thaçi që ka thënë disa gjëra. Unë ua lëshova incizimin dhe nuk ka asgjë të tillë, pastaj dy artikuj gazetash të botuara ku nuk thuhet asgjë çka thoni ju. Unë po ju them që jeni gabim. Në qoftë se ju nuk pajtoheni e mua e ndalojmë këtu se nuk kemi nevojën të vazhdojmë me tej”, tha Tavakoli.

Por, dëshmitari sërish insistoi në qëndrimin e tij.

“Kosova pa Serbi do të ishte në shkelje të statutit mbas të cili kishim hyr në Kosovë në atë kohë dhe unë për rrjedhojë kam bërë shënime bazuar në atë për të cilën ishim dërguar aty lidhur me serbet dhe lidhur me zonat jashtë Kosovës. Me sa duket në këto fjalime ka gjëra të ngjashme me atë”, tha ai.

Për Mitrovicën, Thaçi kishte thënë se atje gjendja nuk është aspak e mirë pasi që aty ka një ndarje të qytetit, por që nuk kishte përmendur si problematike çështjen e prezencës së serbeve atje.

“Gjendja nuk është aspak e mirë. Aty faktikisht kemi ndarje të qytetit, një ndarje që është duke na preokupuar dhe jemi duke bërë çmos që në bashkëpunim me Bashkësinë Ndërkombëtare këtë ndarje ta kthejmë dhe ura që ka qenë urë-lidhëse, ura e Ibrit të jetë urë e bashkimit. Jemi të interesuar që ta gjejmë një zgjidhje politike të këtij problemi”, kishte thënë Thaçi.

Ndërsa, për Luginën e Preshevës, Thaçi kishte thënë se arrestimet, dëbimet e shqiptarëve atje nuk duhet toleruar.

“Shpërnguljet e qytetarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit dhe dëbimi me dhunë, arrestimet, burgosjet, torturat dhe largimi i këtyre qytetarëve për Gjilan dhe viset tjera brenda në Kosovë është një dukuri që nuk duhet toleruar. Qytetarët e këtyre viseve shqiptare kanë të drejtë të jetojnë aty sepse ata janë autokton dhe do të jetojnë aty. Ne nuk do të lejojmë që ata të largohen nga atje h deti presim këtu. Ne duhet t’i ndihmojmë ata që të jetojnë atje dhe duhet të jetojnë”, dëgjohet Thaçi duke thënë në video-incizimin e lëshuar sot në sallën e gjyqit.

Dëshmia e ish-ushtarakut amerikan në Hagë, tregon se çfarë kishin gjetur në një “dhomë torture”

Në Dhomat e Specializuara në Hagë po vijon dëgjimi i dëshmitarit, Steven Russell në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ish-ushtaraku ka folur për operacionin e KFOR-it më 9 gusht të vitit 1999 në një “dhomë të torturës”. Në pyetjet e prokurorit të specializuar, ai tregoi se çfarë kishte parë në këtë dhomë dhe protestat e organizuara kundër arrestimit të dhjetë shqiptarëve.

Ish-ushtaraku amerikan që ka shërbyer në Kosovë gjatë vitit 1999, Steven Russell u pyet nga prokurori i specializuar, Matthew Halling lidhur me një dhomë, ku siç tregoi ai, kishin gjetur njolla gjaku.

Russell: Kishte njolla gjaku në dysheme

Halling: Në dëshminë tuaj, të datës 9 gusht 1999, ju flisni për Ahmet Isufin, dhomën e torturimit dhe ju deklaroni ‘e kanë futur atë në dhomë, më kujtohet në lëvizje dhe gjak në dysheme, instalime elektrike, priza që ishin aty, tela afër një karrigeje, kishte shkopinj një gyp, disa shkopinj ishin aty’. Duke u përqendruar në përshkrimin tuaj, nga paraqitja e dhomës se si dukej përbërja, përshkruani se ku ishte në dysheme gjaku?

Russell: Me sa më kujtohet kur jemi futur në podrum, në anën e djathtë ishte një vend ku ishte si një pjesë e ndarë një karrige dhe disa instrumente të mprehta, kishte njolla gjaku në dysheme. Pra ishte e gjitha në një pjesë të izoluar, në një cep, në një qoshe.

Halling: Ku ishin njollat e gjakut, krahasimisht me karrigen?

Russell: Të gjitha këto ishin shumë afër njëra-tjetrës.

Halling: A jeni në gjendje të më thoni sasinë e gjakut që ishte në dysheme.

Russell: Nuk ishte dhe nuk dua të jem...ta përshkruar tepër atë. Nuk dukej gjakderdhje e madhe, por ishte një njollë e madhe rreth 40 centimetra. Dukej sikur ishte rënë nga sipër dhe ishte zgjeruar një njollë, ishte shkaktuar nga plagë, pas ekzaminimit”, tha Russell.

Dëshmitari amerikan, i cili shoqërohet nga përfaqësues të qeverisë amerikane, tha se pas ekzaminimit të bërë, kanë vërejtur se njolla e gjakut ishte e freskët në dysheme.

Russell: Unë doja të dija se çfarë po ndodhte aty

Russell: Më kujtohet shumë mirë që e kam çuar atë në vend dhe i kemi treguar se çfarë kemi gjetur. E kemi treguar edhe problemin që përbën kjo.

Halling: Kur arritët aty a e pyetet se çfarë ishte kjo?

Russell: Nuk më kujtohet saktësisht apo hollësitë e bisedës, këto kanë qenë momente tensioni por më kujtohet që unë doja të dija se çfarë po ndodhte aty.

Halling: Ahmet Isufi të dha ty ndonjë shpjegim se çfarë po ndodhte në atë dhomë?

Russell: Ai ishte i kujdesshëm, i rezervuar. Ai e dinte se ne kishim një zinxhir autoriteti dhe dinte që nuk isha në krye të këtij zinxhiri dhe besoj që e ka përdorur këtë për të fituar kohë.

Halling: A e mohoi që kjo dhomë ishte përdorur për të torturuar njerëz?

Russell: Nuk dha asnjë mendim apo opinion lidhur me atë që kishim gjetur përkundër disa të tjerëve ai nuk bëri asnjë koment lidhur me atë që kishim gjetur lidhur me armët apo dhomën e torturës”, tha Russell.

Dëshmitari Steven Russell tha se gjatë këtij operacioni në ‘dhomën e torturës’ kishin gjetur shumë aty dhe se asnjë pjesëtar i UÇK-së nuk dha shpjegim se për çfarë përdorej.

Gjatë dëgjimit të dëshmisë së tij, ish-ushtaraku pretendoi se armiqësia ndaj KFOR-it ishte në rritje dhe ka pasur protesta të organizuara.

Russell: Ky operacion ka shokuar shumë njerëz

Halling: OSBE duket të jetë e interesuar për këtë ngjarje, për aq sa dini na përshkruani reagimin nga organizata të tjera, përveç UÇK-së ndaj këtij operacioni që ju bëtë?

Russell: Besoj që kjo gjë ka shokuar shumë njerëz, në shumë aspekte, përfshirë edhe neve.

Halling: Për çfarë arsye kjo përbënte një lajm të madh kjo që kishit bërë ju?

Russell: Ta themi thjesht, po të kishim zbuluar diçka të tillë në anën tjetër, nuk do të kishte qenë tronditëse. Por për shkak se kjo ishte në anën e atyre që ne me të cilët bashkëpunonim, ishte tronditëse për neve.

Halling: Për shkak se ishte tronditëse operacioni juaj tërhoqi vëmendje të madhe?

Russell: Po, u vu në pikëpyetje bilës edhe në ditën kur po zhvillohej operacioni kishte shqetësime për atë që ne po provokonim, do të shkaktonim”, deklaroi ai.

Prokurori i specializuar, Matthew Halling ka pyetur dëshmitarin nëse UÇK kishte ndërmarrë masa disiplinore kundër krimeve, siç tha ai, që ishin zbuluar gjatë bastisjeve, por ish-ushtaraku tha se nuk i kujtohet një gjë e tillë. Në seancën e sotme gjyqësore, ish-ushtaraku amerikan tha se kishin arrestuar dhjetë ushtarë në bastisjes.

Gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka filluar më 3 prill të vitit 2023. Ish-krerët e UÇK-së po gjykohen për krime të pretenduara të luftës dhe po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020.

Fillon dëgjimi i ushtarakut amerikan, prezent përfaqësues të qeverisë amerikane

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë po vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në seancën e sotme po dëgjohet dëshmitari Steven Russell, i cili shoqërohet nga përfaqësues të qeverisë amerikane. Kjo është seanca e parë pas pushimit veror në çështjen Thaçi dhe të tjerët, ku fillimi i seancës është shoqëruar me disa probleme teknike. Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi janë të pranishëm në sallën e gjyqit, ndërkaq Jakup Krasniqi po e ndjek seancën përmes video-lidhjes.

Ushtaraku amerikan, Steven Russell ka nisur dëshminë e tij me pyetjet lidhur me çarmatosjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe dorëzimin e armëve nga UÇK-ja tek KFOR-i.

Russell: UÇK dorëzuan disa armë në vendet e magazinimit të armëve

Halling: Sipas përvojës tuaj, UÇK këto rregulla për të cilat kishte rënë dakord përmes kësaj marrëveshje, a i respektonte?

Russell: Ata krijuan një zonë mbledhje për armët në zonën tonë, po ashtu dorëzuan disa armë në vendet e magazinimit të armëve, por sa i takon konsistencës së këtyre angazhimeve, nuk ka ndodhur kështu.

Dëshmitarit i është prezantuar një kartë, ku sipas prokurorit në të shkruhet “Ministria e Rendit Publik-letërnjoftim zyrtar për Selim Krasniqin”. Ai u pyet nëse kishte parë karta të tilla tek anëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Russell: Kemi parë dokumente të paligjshme të qeverisë

Halling: Mund të shihni në ekran një kartë ku thuhet ‘Ministria e rendit publik, letërnjoftim zyrtar për Selim Krasniqin’. A keni parë karta ose letërnjoftime të tilla të ngjashme në duart e UÇK-së në atë kohë

Russell: Po kemi parë letërnjoftime të kësaj natyre, po ashtu kemi parë edhe dokumente të paligjshme të qeverisë gjithashtu edhe letërnjoftime ose fletë identifikime të paligjshme të cilat nuk e kishin marrë miratimin nga instancat përkatëse.

Halling: Siç e keni thënë, juve nuk e dinit se kush ishte ministri i rendit publik në UÇK në atë kohë, apo jo?

Russell: Në zhvillimet e mëtejshme ne u mësuam dhe morëm informacion për strukturat e mëtejshme, megjithatë në fillim fare neve nuk e dinim se kush ishin shumë prej anëtarëve të qeverisë në atë kohë.

Halling: Në fund fare të këtij dokumenti thuhet ministri i rendit publik, Rexhep Selimi dhe ka një nënshkrim aty. Do të kërkoja që dokumenti të paraqitej si provë”, përfundon prokurori i specializuar.

Dëshmitari Steven Rusell deklaroi se në periudhën nga qershori deri në shtator 1999, kanë pasur përgjegjësi për të vendosur rend në përputhje me rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara. Gjatë intervestimit të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, ai shtoi se në këtë periudhë nuk ka qenë aktive policia e UNMIK-ut.

Russell: Kemi pasur batalion të policisë ushtarake

Halling: Gjatë periudhës që po diskutojmë forcat e vetme legjitime të policisë në atë zonë keni qenë ju, KFOR-i do të thotë, apo jo?

Russell: Po, kështu ka qenë.

Halling: Na shpjegoni burimet që ka pasur në dispozicion KFOR-i amerikan për të hetuar dhe përndjekur penalisht krime gjatë kësaj periudhe.

Russell: Duhet që të kuptoni njësinë ushtarake të madhësisë që kishim ne dhe ne kishim shumë burime që jepnin një vijë ndarëse ndërmjet hetimit dhe policimit dhe kishim gjithashtu edhe një lloj natyre standarde këmbësorie, për të cilin po ashtu ishim të përgjegjshëm. Kishim njësi të policisë ushtarake të cilit ishin trajnuar për çështje ligjore dhe për policim dhe hetim, kishim gjithashtu edhe shtabin ose departamente të gjykatësve që kishin avokatë të kualifikuar të cilësuar në ushtri dhe këto ishin instanca të ndërlidhura. Përgjegjësia jonë në njësinë e këmbësorisë ishte që ndërkohë që do të haseshim me gjëra të një natyre gjithmonë e më tepër policore, i takonte që ne do të përdornim burime që kishim në dispozicion. Në forcat tona sa më kujtohet mua, ne kemi pasur një batalion të policisë ushtarake dhe kishim kompani që ishin caktuar për sektorë të ndryshëm.

Dëshmitari i Zyrës së Prokurorit të Specializuar është pyetur edhe lidhur me praninë të Gjykatës Penale Ndërkombëtare në Kosovë. Russell tha se i kujtohet që në periudhën nga qershori deri në shtator të vitit 1999 ka pasur prani të TPNj-së.

Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith tha se dëshmia e këtij dëshmitari pritet të zgjasë rreth një ditë, ZPS-ja ka paraparë një orë e gjysmë për pyetjet, ndërkaq mbrojtja ka vlerësuar se i duhen pesë orë për kundërpyetje. 

Mbrojtja e Veselit: Dëshmitari i sotëm do të përdorë dokumente që nuk mund t’i shohin prokuroria dhe mbrojtja

Mbrojtja e Kadri Veselit, përmes avokates Annie O’Reilly ka bërë një parashtrim lidhur me dëshmitarin i cili do të dëshmojë sot në sallën e gjyqit. Sipas saj, ZPS-ja i ka thënë mbrojtjes që dëshmitari do të përdorë disa dokumente që nuk mund t’i shoh as ata dhe as mbrojtja.

Sipas O’Reilly kjo është një situatë e vështirë për ata pasi ky dëshmitar ka qenë edhe objekt i një kërkese për ndryshimin e aktakuzës në një moment të mëvonshëm gjatë fazës paraprake.

Ajo tha se ky njoftim që dëshmitari kishte me vete këto materiale iu njoftua mbrojtjes gjatë e-maileve në seancat përgatitore.

“Në e-mail thuhej që dëshmitari kishte me vete materiale që nuk mund t’i jepshin  Prokurorisë dhe rrjedhimisht as mbrojtjes, por sidoqoftë do të përdoreshin nga dëshmitari për të rifreskuar kujtesë gjatë seancës përgatitore. Sidoqoftë nuk është bërë e qartë kur, në çfarë momenti përmendën këto materiale. Të premten ne ju kërkuam t’i evidentojnë paragrafët përkatës që lidhen me këto materiale dhe të na sqaroni se çfarë hapash duhet të ndërmarrim për t’i parë këto materiale. Prokuroria na thanë që kishin pyetur dëshmitarin lidhur me këto materiale, por nuk ishin ë sigurt nëse do mund t’i merrnin materialet para se të jepte dëshminë dëshmitari”, tha O’Reilly.

Ajo gjithashtu insistoi duke thënë se këtyre dokumenteve dëshmitari dhe që sipas tyre është e padrejtë që të vijë një dëshmitarë në Hagë me dokumente të reja duke e vendosur mbrojtjen në një pozicion të vështirë.

“Gjithashtu na thanë që ai iu është referuar këtyre materialeve në tri pika konkrete. Tani ne nuk e kemi të qartë a i ka përdorur këto materiale gjatë gjithë seancës përgatitore dëshmitari dhe ne duam të dimë se kur mund t’i marrim dhe ne këto materiale dhe gjithashtu çfarë janë këto materiale. Ne e kuptojmë që nuk mund të na thoni hollësi, por të dimë vëllimin së paku në çfarë natyre kanë këto materiale sepse këto mbase mund t’i përdorim për kundërpytejet tona dhe nuk është normale që në momentin e fundit na thoni që dëshmitari do t’i përdor disa materiale që ne nuk mund t’i shohim. Na vendosin në një situatë të vështirë. Ky është një dëshmitar që ka qenë objekt i një kërkese për ndryshimin e aktakuzës në një moment të mëvonshëm gjatë fazës paraprake dhe është një dëshmitar që nuk ka folur një herë, por ka folur dy herë dhe është e padrejtë që vjen tani dëshmitari në Hagë me dokumente të reja dhe na vendos në një pozicion kaq të vështirë”, tha ajo.

Tutje, avokatja e Veselit pati një kërkesë për Prokurorinë si dhe kërkoi mundësinë që ta rithrrasin dëshmitarin në rast se këto materiale janë më vlerë për mbrojtjen.

“Pra, ne duam të kuptojmë fillimisht nga Prokuroria nëse ata e dinë sipas rregullës 107, cili është vëllimi, kur mund t’i marrim këto materiale sepse tani e kemi të qartë që duhet të bëjmë një kërkesë lidhur me këto materiale dhe ne do të duam që të kemi një mundësi që ta rithrrasim këtë dëshmitar nëse këto materiale janë më vlerë për ne”, tha ajo.

Prokurori Matt Halling tha se të gjithë janë të barabartë dhe nuk ka asnjë padrejtësi sa i takon kësaj çështje.

“Nuk i kemi as ne materialet, prandaj as mbrojtja materialet. Sidoqoftë ky dëshmitar për këtë dëshmitar është bërë e qartë që në 2022-shin që ka materiale relevante që nuk mund të nxirrën në këtë rast dhe dëshmitari në një pikë, në intervistën që ka dhënë për ZPS-në në 2022-ën ka lexuar një faqe të një ditari dhe kjo është një faqe ditari që nuk na e kanë dhënë as ne dhe nuk e kemi idenë se ku është ky material. Pra, e vetmja gjë që ka ndodhur ndryshe është ajo që ka ndodhur gjatë seancës përgatitore që keni parë në e-mail, mbrojtja e Veselit ka kërkuar që të diskutoj vetëm një fakt për të cilin i ka përdorur materialet dëshmitari për të rifreskuar kujtesën. Ka qenë thjeshtë data e një ndeshje futbolli në 1 gusht të 99-ës, pra për këtë ka dashur dëshmitari të rifreskoj kujtesën dhe ka bërë disa verifikime të vogla të materialeve sepse nuk mundej të ishte shumë i saktë për të dhënat”, tha tutje prokurori.

Halling tha se sa i takon asaj që do të thotë dëshmitari do ta kenë mundësinë që ta bëjnë sot pasi është ai dëshmitar që do të jetë sot në sallën e gjyqit.

Për këtë, kryegjyqtari Smith III tha se nëse gjatë kundër pyetjeve të mbrojtjes vlerësohet se është nevoja të rithirrët ky dëshmitar, trupi gjykues do ta rishqyrtoj këtë kërkesë.

Ndërsa, për të diskutuar për një çështje tjetër, avokatja tjetër e Veselit Ann Rowan kërkoi që të kalohet në seancë private gjë e cila u aprovua nga trupi gjykues.

Nis seanca e parë pas pushimit veror në çështjen Thaçi dhe të tjerët, shfaqen probleme teknike

Pas pushimit veror, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka filluar seanca në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Në fillim të seancës, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III tha se do t’i jep disa urdhra me gojë por që u shfaqen disa probleme teknike me marrjen e përkthimit në gjuhën shqipe nga i akuzuari Krasniqi pasi që ai ishte prezent në sallën e gjyqit përmes video-lidhjes.

Të gjithë të akuzuarit tjerë, përveç Krasniqit ishin në sallën e gjyqit prezent ndërsa pas dhënies së disa urdhrave seanca kaloi në pushim deri sa të rregullohet problemi teknik.

Tek urdhri i parë, trupi gjykues rikujtoi se një provë materiale është pranuar përmes dëshmitarit 04501 si dhe ka marrë numër identifikimi të përkohshme. Pasi nuk pati kundërshtime nga palët është udhëzuar sekretarja e gjykatës që kësaj prove t’i bëjë përditësimin përkatës.

Tek çështja e dytë,  Smith III tha se ZPS-ja ka kërkuar që të bëjë një zëvendësim të dokumenti që është pranuar me një numër të caktuar dhe t’i vendoset një version i rishikuar. Sipas tij, ky dokument është nxjerrë prej paketës së materialeve 997 dhe konkretisht ka thjeshtë disa rishikime të vogla.

Specialja kthehet nga pushimet, rifillon gjykimi ndaj Thaçit e të tjerëve

Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) me seli në Hagë javën sot kthehen nga pushimet verpre.

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Ndryshe për muajin gusht Specialja ka paraparë të mbajë shtatë seanca në rastin gjyqësor ‘Thaçi dhe të tjerët’.

Ndryshe pushimi veror në DHSK filloi më 29 korrik, dhe përfundon më 16 gusht 2024.

Gjatë kësaj periudhe nuk janë mbajtur seanca dhe disa nga shërbimet jothelbësore kanë qenë në minimum.

Megjithatë, gjykata ishte plotësisht funksionale dhe puna vazhdoi në të gjitha seksionet e DHSK-së.

Gjatë pushimit palët kanë mundur të paraqesin parashtrime dhe përveç nëse gjykatësit kanë urdhëruar ndryshe, afatet gjyqësore vazhduan të jenë në fuqi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat