Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa ka thënë se pushteti aktual do të mbahet mend për rrënimn e RTK-së dhe të çdo institucioni të pavarur.
Mustafa ka thënë se ky pushtet do të mbahet mend për dëshirën të nënshtrojë çdo institucion, qytetarë dhe çdo cep të jetës në Kosovë.
“Pushteti absolut i VV-së, përmes militantëve të instaluar në çdo skutë, tashmë ka rrënuar tërësisht RTK-në. RTK-ja, që paguhet nga tatimet e qytetarëve, do duhej të ishte tërësisht e pavarur, tërësisht në shërbim vetëm të informimit të saktë të qytetarëve. Por pushteti absolut i VV-së nuk njeh pavarësi mediatike, nuk pranon pavarësinë e askujt, kërkon nënshtrim të plotë”, ka thënë Mustafa.
LDK, sipas tij, refuzon nënshtrimin, përveç ndaj qytetarëve.
“LDK vazhdon bojkotin ndaj RTK-së së rrënuar e nënshtruar, siç ka vazhduar tash një vit e gjysmë”, ka shtuar ai.