Sami Kurteshi nga Lëvizja Vetëvendosje, është paraqitur për intervistim në Prokurorinë Speciale pas deklaratave që ai kishte bërë në lidhje me rastin e Astrit Deharit.
Ai të martën rreth orës 10:30 ka mbërritur në Prokurori për t’u intervistuar.
Për ftesën që i kishte bërë PS, kishte njoftuar vetë Kurteshi përmes një shkrimi në Facebook.
“Më 16 gusht 2024, me autorizimin e prokurorit special Bekim Kodraliu, kam pranuar thirrje nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda për marrje në pyetje me datë 20 gusht 2024, në lidhje me deklaratat e bëra në konferencën për media me rastin e pensionimit të Afrim Shefkiut, i ngarkuar me rastin e Astrit Deharit, të mbajtur para Prokurorisë Speciale”, ka shkruar ai.
Kurteshi ka pohuar se ftesa e prokurorisë nxjerr dy pyetje lidhur me rastin e Astrit Deharit.
Kjo sjellje e prokurorisë në thelb nxjerr dy pyetje thelbore: A po ri-fillon hetimi i njëmendtë i rastit A. Dehari nga Prokuroria Speciale? Apo po bëhet përpjekje e njëmendtë për humbje të gjurmëve të vrasjes së Astritit?”, shkruan ai.
Kurteshi në reagimin e tij ka shtuar se drejtësia për Astrit Deharin do të arrijë, duke shtuar se “Koha vonon, por e drejta nuk shuhet! E drejta domosdo del në shesh”