“Servilizmin dhe cinizmin e tij nuk e lanë Drini as Shkumbini”- Mehmetaj reagon ashpër ndaj gazetarit që veshi fanellën serbe

Aktuale

“Servilizmin dhe cinizmin e tij nuk e lanë Drini as Shkumbini”- Mehmetaj reagon ashpër ndaj gazetarit që veshi fanellën serbe

Nga: M.L. Më: 21 gusht 2024 Në ora: 15:55
Ervin Baku

Publicisti Gani Mehmetaj e ka komentuar paraqitjen e gazetarit Ervin Baku, me fanellën e Serbisë pas një paraqitje të tij në një lidhje direkte në Euronwes Albania.

Mehmetaj në një postim në Facebook, ka thënë se paraqitja e Bakut ishte servile, e neveritshme, cinike dhe antinjerëzore.

Kur gazetari shqiptar magjepset pas simboleve serbe si bretkosa pas gjarprit

Paraqitja e gazetarit Ervin Baku, me fanellën e Serbisë ishte servile, e neveritshme, cinike dhe antinjerëzore. Të vinte mundim kur e shihje atë fytyrë e trup të dhjamur si gjeldeti me një simbol që lëndon mijëra nëna, motra e etër, fyen një komb të tërë, ua lëviz eshtrat në varr mijëra viktimave shqiptare të Kosovës.

Ai gënjen kur thotë se nuk e ka bërë me qëllim. Ai gënjen kur thotë se nuk e ka menduar se do të lëndoj dike. Ai nuk ka jetuar në Hënë as në Mars. Viktimat e Serbisë me 1999 i ka ndeshur çdo ditë nëpër sheshet e trotuaret e Tiranës pa kulm mbi krye, sepse shtëpitë ua dogji Serbia”, ka shkruar Mehmetaj.

Mehmetaj ka pyetur se si ka fytyrë gazetari Baku, që pas kësaj të paraqitet në publik, apo si kanë moral televizionet ta angazhojnë?

Servilizmin dhe cinizmin e tij nuk a lanë Drini as Shkumbini.

Fatkeqësia është se Ervin Baku nuk është i vetmi. Para disa vjetësh një Grillo, ish-komentuesi i ngathët, lavdëronte futbollistët serbë, ndërsa “harronte” që këta idhuj të tij, në Beograd i dërmuan grushte e shqelma futbollistët shqiptarë.

Të neverit ky soj shqiptarësh që reagojnë të magjepsur si bretkosa pas gjarprit.

Të neverit edhe shteti shqiptar që e ftoi në koncerte luftënxitësin serb Goran Bregoviç, ndërsa shqiptarët e mjerë me tru si të peshkut ranë në dëlir pas tij, edhe pse ai me nacionalizmin e neveritshëm e ka të ndaluar të shkojë në Kroaci, e ka të ndaluar të shkojë në Bosnjë e Hercegovinë, në tërë Ballkanin, madje edhe në Lituani e Letoni. Por i lejohen koncerte në Shqipërinë e Vuçiqit, Miladinit e Mugoshës”, është shprehur ai.

Sipas Mehmetajt, është për keqardhje që disa shqiptarë janë të vetmit në Gadishull që e duan Serbinë të tillë çfarë ishte dhe çfarë është.

"Ajo mendësi servilizmi e cinizmi i ka mbërthyer një soj shqiptarësh që kanë nevojë për kurim të neuropsikiatri, sepse janë të vetmit në Gadishull që e duan Serbinë të tillë çfarë ishte dhe çfarë është.

“Të vjen keq sa të sëmurë janë”, ka përfunduar Mehmetaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat