Gazeta raportoi sot ekskluzivisht për suspendimin e një zyrtari policor në Prishtinë, nën dyshimet për përfshirje në një përleshje fizike, të martën te pompa e derivateve ‘HIB’ në Graçanicë.
Polici, bashkë me disa persona të tjerë janë futur në sherr dhe për pasojë tashmë janë cak i hetimit.
Zyrtari policor dhe tre persona të tjerë kanë pasur një konflikt që nisi pas një mosmarrëveshje në komunikacion dhe eskaloi në rrahje.
Polici i dyshuar është Arlind Iskurti, 21-vjeçar, i cili tashmë është suspenduar për 72 orë, për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.
Burimet kanë bërë me dije se zyrtari i suspenduar ka qenë jashtë detyrës zyrtare në momentin kur plasi sherri.
Policia ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për t’i shoqëruar të dyshuarit e tjerë në stacion, ndërsa është vënë në dijeni edhe Inspektorati Policor i Kosovës.
Në koordinim me Prokurorin e Shtetit, është iniciuar rasti, ndërsa janë siguruar edhe prova që dëshmojnë përfshirjen e të dyshuarve në këtë rast.