Tahiri: Pritet të ketë reflektime mbi porositë që i solli sot shefi i CIA-s në Kosovë

Aktuale

Tahiri: Pritet të ketë reflektime mbi porositë që i solli sot shefi i CIA-s në Kosovë

Më: 22 gusht 2024 Në ora: 20:02
Besnik Tahiri

Drejtori i CIA-s, Wiliams Burns, sot ka zhvilluar takim me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, e më pas ka shkuar edhe në AKI – Agjencinë Kosovare të Inteligjencës.

Paraprakisht, ai qëndroi në Sarajevë e më pas edhe në Beograd.

Gazetari, Besnik Tahiri, u shpreh se vizita e Burns në Sarajevë është mbajtur sekret, ndërsa ajo në Beograd është mbajtur top-sekret dhe nuk dihet nëse ai  e ka takuar, pos presidentin e Serbisë, edhe shefin e BIA-s serbe Vladimir Orlliqin, për shkak se e ka homologun e tij serb.

Ndërkaq, sipas Tahirit, vizita e Burns në Kosovë ka qenë paksa më e hapur, ndonëse profili i tij është përnjëmend sekret për shkak se është shef i CIA-s , agjencisë më të madhe të inteligjencës në rruzullin tokësor

“Pra, është një vizitë e kategorisë së rëndë. AKI-ja ka një bashkëpunim të jashtëzakonshëm me CIA-n dhe institucionet tjera amerikane”, theksoi ai.

“Pritet të ketë reflektime mbi porositë të cilat i solli sot Burns te presidentja e republikës dhe po ashtu te homologu i tij Petrit Ajeti, shef i AKI-së, dhe këto kanë të bëjnë me zhvillimet momentale të këtij muaji, sidomos te çështja dhe plani i qeverisë për të hapur urën e Ibrit për qarkullim të plotë, dhe natyrisht për çështjet që kanë të bëjnë me zbardhjen e plotë të rastit të sulmit paraushtarak në Banjskë”, përfundoi gazetari Tahiri.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat