Publicisti dhe njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare Dr. Enver Bytyçi, nëpërmjet një postimi në Facebook i ka dal në mbrojtje zëvendësdrejtorit të RTK-së Adi Krasta në lidhje me deklaratat e tij rreth publikimit të lajmit të medias “Slobodna Bosnja” , ku dy media vendore u etiketuan si media të financuara nga Vuçiqi.
Në shkrimin që e ka titulluar “Mizënënkësulasit”, Bytyçi thotë se Krasta ka sqaruar pozicionin e tij në RTK, derisa ata që u prekën nga lajmi, e sulmuan ashpër deri me kërkesa për të dhënë dorëheqjen.
Sipas tij, kjo po ndodhë sepse” mizënënkësulasit” po testojnë, nëse imponohen me paratë e Vuçiq e të Radoiçq, apo jo?
Kështu sipas tij, shumë medie në Kosovë e në Shqipëri jo vetëm paguhen nga Serbia me para, por paguhen me shumë para!
Postimi i plotë i Bytyçit:
Mizënënkësulasit
Enver Bytyçi
Rasti i Adi Krastës është unik. Doli në një intervistë në Prishtinë. Foli për publikimin e lajmit në RTK që vinte nga Bosnja ,se medie e portale kosovare paguhen nga Vuçiq e Radoiçiq. Sqaroi pozicionin e tij si zv. Drejtor i Përgjithshëm i këtij televizioni. Dhe kaq!
Por mizënënkësulasit, ata që u prekën nga transmetimi i atij lajmi në RTK, e sulmuan Adi Krastën ashpër deri me kërkesa për të dhënë dorëheqjen. E akuzuan se mbrojti aktin e transmetimit të lajmit në fjalë. Në fakt ai nuk mbajti qëndrim për këtë. Dhe RTK-në e kanë bërë "zhele"!
Po pse po ndodh kjo? Sepse mizënënkësulasit po testojnë, nëse imponohen me paratë e Vuçiq e të Radoiçq, apo jo? Po testojnë, nëse janë më të fuqishëm se gazetaria e vërtetë e patriotike shqiptare, apo më të dobët se ajo. Po testojnë nëse mund t'i thyejnë dhe t'i izolojnë gazetarët profesionistë e me integritet, si Adi Krasta, apo jo! Pra është një luftë e ftohtë. Është një betejë të cilën mizënënkësulasit e kanë mision, duke spekuluar me demokracinë dhe lirinë.
Në Kosovë është i lirë p.sh Frashër Krasniqi të thotë se "Qeveria e Kosovës ushtron terror në veri të Kosovës"! Por nuk duhet të jetë i lirë Adi Krasta e gazetarë të tjerë të thonë se ky Krasniqi është kundër Kosovës dhe pro-Serbisë, thjesht për faktin se Frashri rren, rren dhe gënjen pafund. Sepse çdo kush e di se çfarë do të thotë terror. E në veri të Kosovës nuk ka ndodhur asnjë akt terrorist nga ana e institucioneve të Kosovës. E kur rren për t'i ardhur në ndihmë politikave të Beogradit, atëherë dikush duhet të merret me rrencin! Jo! Po merren në Prishtinë dhe në Tiranë me Adi Krastën!
Shumë medie në Kosovë e në Shqipëri jo vetëm paguhen nga Serbia me para, por paguhen me shumë para! Dhe në këtë pikë nuk ka gënjyer as instituti boshnjak, as RTK, as unë që po e përsëris këtë gjë, as Adi Krasta, i cili nuk e ka pohuar një akuzë si kjo. Që ta zbuloni nëse mediet paguhen ose jo me shumë para nga Vuçiq, uluni dhe ndiqni disa ditë lajmet qendrore të TV-ve shqiptare. Merrni një laps dhe mbani shënim nëse transmetojnë ndonjë lajm kundër Vuçiq, kundër Edi Ramës e kundër Serbisë ose jo! Asnjë për be! Ose numëroni sa lajme transmetojnë e sajojnë me akuzat serbe kundër kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Çdo ditë e në çdo emision! Është bërë Blerta Dalloshi Berisha, shollë! Kaq e thjeshtë është!