Bashkësitë fetare në Kosovë kanë luajtur një rol mjaft të rëndësishëm në afirmimin dhe ruajtjen e vlerave kombëtare.
Deri më sot është folur paksa rrallë për rolin dhe kontributin e Kishës Katolike gjatë luftës, përkatësisht bombardimeve të NATO-s.
E në rrjetin social Facebook është publikuar një dokumentar interesant ku flitet pikërisht për përfaqësuesit e Kishës Katolike që morën pjesë në luftë, qoftë duke i strehuar refugjatët apo edhe duke ia drejtuar pushkën armikut, bashkë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Don Lush Gjergji, në këtë dokumentar rrëfen se si i kishte strehuar refugjatët në kishë gjatë kohës së bombardimeve të NATO-s.
“Në meshën e fundit iu thashë “Unë askujt si them rri, unë askujt si them shko, por një gjë po ju them dhe po betohem para jush, unë i gjallë nuk dalë prej këtu. Unë s’kam popull tjetër, kishë tjetër dhe unë dua të jetojë me ju. Dhe kjo ishte përgjigja ime, jam i falënderueshëm ndaj zotit, kemi pasur sfida e sprova, kanë ardhur natë e ditë e më kanë thënë do të më djegin për së gjalli, më kanë thënë se i ke terroristët, i ke UÇK-në, i ke ekstremistët islamikë këtu që ti nuk e din se kush janë. Unë iu kam thënë: Ky është populli im dhe unë jam prifti i tyre, prandaj nuk ka kush që më ndan prej këtij populli. Mund të ma vrani trupin tim, por jeta ime dhe shpirti im nuk është në dorën e tuaj, por është në dorën e zotit”, shprehet ai ndërsa nuk mund t’i mbajë lotët.
Për Don Lush Gjergjin kjo ishte ndër përvojat më të tmerrshme, pasi në mesin e refugjatëve të strehuar në kishë kishte edhe fëmijë të moshës nën 10 vjeç.
“Është ndër përvojat më të tmerrshme, i kam pasur afër 30 fëmijë nën moshën 10 vjeçare, shpeshherë pa prindër, sepse hynin nëpër shtëpi dhe ju thonin brenda disa minutave nëse nuk dilni do ta kallim shtëpinë dhe do të ju masakrojmë juve. Kush për dere, kush për dritare, kush pa këpucë, kush pa rroba - kanë dalë njerëzit dhe kanë ardhur jo te unë, por te shtëpia e zotit dhe te zoti.
Ne shpëtuam popullin, me një fjalë ne i dëshmuam dhe i thamë: Jeni pjesë e jona, jemi pjesë e juaja ose do të shpëtojmë së bashku ose do të përfundojmë të gjithë së bashku”, është shprehur ai.
Ai ishte lutur që të vdiste vet e të mos e shihte masakrimin dhe asgjësimin e popullit.
“Ata besimtarë që i kanë kaluar ato 78 ditë dhe netë me mua dhe unë me ta, fëmijët e tyre që disa janë edhe të martuar dhe me fëmijë, kur takohemi, nuk kanë më fuqi të flasin, ni përqafim, një përkëdhelje dhe lotët flasin dhe tregojnë sa e mrekullueshme është kur njeriu jep gjithçka që ka. Dhe 100 herë unë gjatë këtyre 78 ditëve e netëve e kam dhënë jetën dhe lutja e vetme që ka qenë e kam lutur zotin vetëm për këtë gjë: Zot merrma jetën mua e mos lejo që ta shoh masakrimin dhe asgjësimin e popullit tim. Dhe deshi zoti të gjithë shpëtuam”, ka rrëfyer ai.
Kurse, Në dokumentar tregohet edhe për priftin Don Gabriel Grabanica që ishte pjesë e UÇK-së.
Po ashtu, një pjesë i kushtohet edhe Don Klement Spaqit nga Kisha Shën Nout në Gllogjan të Deçanit që i kishte shpëtuar 12 burra nga pushkatimi. Video nga rrëfimet këtu