​I riu që mban emrin e gjeneralit Klark: Ndihem jashtëzakonisht krenar

Aktuale

​I riu që mban emrin e gjeneralit Klark: Ndihem jashtëzakonisht krenar

Më: 25 gusht 2024 Në ora: 13:35
Uesli Klark Morina

Në prag të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, një shtetas i Shqipërisë, vendosi që nipin e tij ta quajë Uesli Klark, në shenjë nderimi për sakrificën e gjeneralit amerikan në çlirimin e Kosovës.

Uesli Klark Morina i cili tani është 16 vjeçar, shprehet krenar për emrin që mbanë, për çka thotë gjenerali i pensionuar amerikan Klark pati një rol kyç në çlirimin e Kosovës.

Morina: Daja im ka vendosur të më vë emrin e Uesli Klark

"Historia e vendosjes së emrit tim nisi që në vitin 2008 kur unë kam lindur. Unë kam lindur me 21 janar të vitit 2008 dhe daja im ka vendosur të më vë emrin e Uesli Klark, gjenerali që ka çliruar Kosovën. Një gjeneral i cili ka bërë një punë goxha të madhe dhe ka qenë një ndër kontributi më kryesor që Kosova është kjo që është sot", thotë Morina.

Përveç kësaj, Uesli Klark Morina shpreson që këtë emër ta lartësojë me vepra të mira në të ardhmen.

Morina: Ndjehem jashtëzakonisht krenar për këtë emër

"Unë ndjehem jashtëzakonisht krenar për këtë emër dhe shpresoj që me kohën vit pas viti do ta lartësoj këtë emër lartë e më lartë", shprehet Morina.

Në intervistën për KosovaPress, Klarku i ri thotë se ka persona që nuk e kanë njohur këtë emër, porse me të lexuar për të, janë mahnitur për kontributin e tij dhënë për Kosovën.

Morina: Disa persona nuk e kanë njohur këtë emër, por kur e kanë njohur janë mahnitur

"Në fakt ka disa persona që nuk e kanë njohur këtë emër. Por, kur e kanë njohur janë mahnitur nga Uesli Klark origjinal, se unë jam Uesli Klark junior. Wesley Clark origjinal për punën e tij, për burrërinë e tij, për gjithë punën e kryer gjatë luftës në Kosovë", potencon Morina.

Në një periudhë kur shumë njerëz përpiqen të ruajnë kujtimet dhe vlerat e rëndësishme përmes traditave dhe simboleve, emri i këtij djaloshi është një përpjekje e ndjerë për të mbajtur gjallë kujtimin e sakrificave dhe kontributit të ndihmës ndërkombëtare në zhvillimin e Kosovës.

Ndërkaq, emrin e ish gjeneralit të forcave të armatosura të NATO-s, Uesli Klark e mbajnë edhe dy kosovarë.

Wesley Clark është një gjeneral amerikan në pension i cili tashmë është një emër në historinë e luftës humanitare. Ai udhëhoqi bombardimet e NATO-s ndaj njësive ushtarake dhe policore Jugosllave, gjë që rezultoi me kapitullimin e ish-diktatorit, Sllobodan Millosheviç, i cili u detyrua të nënshkruajë një marrëveshje teknike ushtarake në Kumanovë për të lejuar paqeruajtësit e NATO-s të hynin në Kosovë. Gjenerali Clark konsiderohet si hero nga populli i Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat