Zhitia: Avokatë dhe prokurorë kanë shkoqitë fjali nga libri im, të cilat në opinion e kanë përcjellë një mesazh të gabuar

Aktuale

Zhitia: Avokatë dhe prokurorë kanë shkoqitë fjali nga libri im, të cilat në opinion e kanë përcjellë një mesazh të gabuar

Më: 26 gusht 2024 Në ora: 11:05 Përditësuar në ora: 16:41 më 26.08.2024
Foto ilustrim

Dëshmitari Zhitia: Nuk kam pasur asnjëherë kontakt me Jakup Krasniqin

 Dëshmitari Skender Zhitia, gjatë dëshmisë në Hagë ka thanë se asnjëherë nuk ka pasur kontakt me Jakup Krasniqin.

“E saktë, nuk kam pas asnjëherë kontakt”, tha Zhitia duke u përgjigjur në kundërpyetjet e avokates së Krasniqit, Shyamala Alagendra.

Ndërsa për librin e Krasniqit, dëshmitari tha se pasi që ka qenë i botuar, ia ka dhënë vetes të drejtën që t’i referohet por që nuk e di se cila nga pjesët është e ekzagjëruar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I pyetur nëse e kishte përcjellë dëshminë e Rrustem Mustafës në këtë rast, Zhitia tha se nuk ka pasur mundësi për shkak të disa ngjarjeve familjare, por që i ka parë disa pjesë.

Kur u pyet se a pajtohet me deklaratën e Mustafës se lufta e UÇK-së ka qenë më shumë propagandistike sesa operacionale, dëshmitari tha se nuk ka koment për këtë.

“S’kam koment. S’muj dha mendim për deklarata të personave që kanë përgjegjësi. Nuk kam autoritet për me dhanë mendim për deklarata që ka dhënë Rrustem Mustafa”, tha dëshmitari Zhitia.

Duke u përgjigjur në pyetjet e avokates së Thaçit, Sophie Menegon, dëshmitari tha se Zona Operative e Llapit ka marrë donacione vazhdimisht nga qytetarët, si uniforma e të tjera.

Ai tha se emërimet që ishin bërë në gusht ishin iniciativë e Rrustem Mustafës pa ndonjë urdhër nga lart.

“Ishte ndër zonat e mirëorganizuara dhe me iniciativa të ndryshme që kanë ndihmuar që ajo të organizohet në nivel më të mirë. Ndërsa, sa i përket çështjes tjetër ‘vetëorganizimi’ është çështje që unë nuk mund ta komentoj dhe ta them, por besoj që iniciativat kanë qenë të nisura nga Komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa pa marrë ndonjë urdhër më lartë ose ndonjë iniciativë më lartë. Është fjala në raste të veçanta”, tha Zhitia.

Dëshmitari tha se në vizitat e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së në Zonën e Llapit nuk ka qenë pjesëmarrës. Kurse, theksoi se emërimet janë bërë nga Remi.

“Në Zonën Operative të Llapit personat në pozitat e ndryshme komanduese janë emëruar nga komandant Remi më 18 korrik 1998 dhe mund t’i referoheni të dhënave në librin tim”, tha ai

Dëshmitari mohoi se ka qenë pjesë e delegacionit ose procesit në Rambuje, si dhe tha që nuk iu kujtohet se ka diskutuar për këtë çështje me ndonjë prej të intervistuarve në librin e tij.

Pyetje për dëshmitarin nuk pati mbrojtja e Selimit dhe as ajo e Veselit.

Zhitia: Avokatë dhe prokurorë kanë shkoqitë fjali nga libri im, të cilat në opinion e kanë përcjellë një mesazh të gabuar

Dëshmitari Skender Zhita gjatë dëshmisë së tij në Hagë, tha se avokatë dhe prokurorë nga Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), kanë shkoqitur fjalë dhe fjali nga libri i tij, të cilat në opinion më pas kanë përcjellë mesazh të gabuar.

Këtë deklaratë, dëshmitari e bëri pasi u pyet nga prokurorja Silvia D’Ascoli se a e ka ribotuar ndonjëherë librin e tij, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Po, e kam ribotu në vitin 2023 pa ndryshime. Arsyeja e ribotimit është fakti që nga kjo dhomë, avokatë por edhe prokurorë kanë shkoqitë fjalë dhe e fjali nga tanësia e librit tim, të cilat në opinion e kanë përcjellë një mesazh të gabuar”, tha dëshmitari.

Përpara kësaj, Zhitia u pyet për një pjesë të librit ku përshkruhen ngjarje në Zonën Operative të Llapit nga 24 marsi 1999 deri më 1 maj të vitit 1999.

Ai pohoi se është i saktë informacioni që e ka pasqyruar në libër, ku kishte treguar se pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, në Zonën Operative të Llapit kishte filluar ofensiva serbe dhe se Serbia kishte filluar me planin ‘Patkoi’ për dëbimin e shqiptarëve.

“Po, ato të cilat kishin për qëllim dëbimin e popullatës civile nga rajoni i Zonës Operative të Llapit, por është një operacion i bazuar në planin “Patkoi’ të Serbisë në atë kohë i cili filloi me fillimin e bombardimeve të NATO-s dhe ky operacion filloi nga pjesa më veriore e Kosovës, respektivisht nga zona Operative e Llapit. Kështu që u mobilizuan të gjitha njësitë në atë kohë që t’i dalin në ndihmë popullatës për t’u evakuuar dhe larguar nga regjionet të cilat ishin me të rrezikueshme. Pra, tek ‘Patkoi’ kemi çka të shtojmë dhe të themi”, tha Zhitia.

Ndryshe, pranuan në prova materiale faqet e librit të dëshmitarit për të cilat ai u mor në pyetje deri tash. Këto faqe të librit u klasifikuan si prova publike.

---------------

Në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), në seancën e së hënës ka filluar dëshminë dëshmitari i 80-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), Skender Zhitia, i cili mban kodin W4651.

Pyetjet për dëshmitarin i ka filluar prokurorja Silvia D’Ascoli, e cila në përmbledhjen e lexuar për Zhitinë tha se ishte anëtar i UÇK-së si dhe është autori i një libri për UÇK-në, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Skender Zhitia është ish-anëtar i UÇK-së nga Zona Operative e Llapit. Ai u kyç në UÇK në maj 1998. Roli i tij fillestar ishte të mobilizonte civilët dhe ai dha kontribut në krijimin e njësitit “Kështjella 33”. Atje ai ishte komandant dhe që ishte në Brigadën e UÇK-së 151 “Zahir Pajaziti”. Skender Zhitia vazhdoi të qëndronte në UÇK dhe kreu detyra të ndryshme dhe më pas u bë pjesë i TMK-së”, tha D’Ascoli.

Prokurorja tha se Zhitia do të flas për metodologjinë, intervistat dhe burimet e përdorura në librin e tij.

“Skender Zhitia është një këshilltar i lartë në Institutin e Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë dhe është autor i librit ‘UÇK-ja: Zona Operative e Llapit’ që është një libër historie nga pikëpamja ushtarake për UÇK-në në atë zonë që është botuar më 2008-ën. Si pjesë e dëshmisë ai shpjegon metodologjinë, burimet e përdorur për të përgatitur këtë libër ku përfshihen intervista, literaturë, ditarë me komandantët dhe luftëtarët e UÇK-së në zonën operative të Llapit”, tha D’Ascoli.

Prokurorja e njoftoi dëshmitarin se nuk do ta marrë në pyetje për gjërat që tashmë i kishte konfirmuar, pasi deklaratat e tij janë pranuar në prova materiale, por që tashmë do të fokusohet në disa pyetje shtesë.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores, dëshmitari tregoi se ishte komandant në njësitin K33 në Llugë të Podujevës.

“Po, në përvojën time dhe në detyrat që i kam pasur”, tha dëshmitari, kur u pyet se përshkrimi për K33-shin në libër, a bazohej në përvojat e tij gjatë luftës.

Ndërsa, për njësitë tjera, dëshmitari tha se i ka bazuar nga intervistat dhe bashkëbisedimet që i ka pasur me luftëtarë.

Sipas kryetari të trupit gjykues, Charles Smith III, dëshmia e këtij dëshmitari pritet të zgjasë rreth një ditë e gjysmë, e që dy orë janë paraparë për pyetjet e Prokurorisë dhe rreth pesë orë për kundërpyetjet e mbrojtjes.

Ndërsa, në prova materiale u pranuan të gjitha deklaratat së bashku me materialet përcjellëse në shqip dhe anglisht që dëshmitari i kishte dhënë më herët për ZPS-në.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat