“Nuk jemi djelmosha problematikë”, ky është dallimi i presidentes Vjosa Osmani dhe ish-presidentit Hashim Thaçi në Forum

Aktuale

“Nuk jemi djelmosha problematikë”, ky është dallimi i presidentes Vjosa Osmani dhe ish-presidentit Hashim Thaçi në Forum

Nga: N.E Më: 26 gusht 2024 Në ora: 14:42
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në Austri

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka qenë e ftuar në Forumin Evropian Alpbach në Austri.

Ajo, dje, më 25.08.2024 ka marr pjesë në “një diskutim dinamik me të rinj dhe të reja nga e gjithë bota”.

Sipas Osmanit në këtë diskutim u përqendruan në tema të rëndësishme që prekin Kosovën dhe Evropën dhe të ardhmen euroatlantike të vendit.

Osmani tha se folën edhe për rëndësinë e mbrojtjes dhe promovimit të vlerave të përbashkëta demokratike.

“Kënaqësi që edhe sivjet të jem e ftuar nga Forumi Evropian Alpbach në Austri. Sot, në një diskutim dinamik me të rinj dhe të reja nga e gjithë bota, u përqendruam në tema të rëndësishme që prekin Kosovën dhe Evropën, të ardhmen euroatlantike të vendit tonë, si dhe rëndësinë e mbrojtjes dhe promovimit të vlerave tona të përbashkëta demokratike”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Gjersa, po mbahet ky forum është rikujtuar viti 2018 me pjesëmarrjen e ish- presidentit Hashim Thaçi.

Në atë kohë, Thaçi pati folur për idenë e korrigjimit të kufijve me Serbinë, në mënyrë që të arrihet marrëveshja finale.

Ai i ulur afër presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, deklaronte se ata po mundohen për më të mirën dhe nuk janë djelmosha problematik.

“Unë jam në favor të korrigjimit të kufirit sepse ne me të vërtetë na duhet marrëveshja. Ne kemi nevojë për marrëveshje paqësore. Ne duhet të lëvizim drejt BE-së dhe për Kosovën edhe drejt NATO-s”.

“Ne kemi një konflikt të ngrirë. Unë jam historian, por nuk dua të jetoj me librat e historisë në Ballkan. Bile, as me librat e historisë të vendit tim. Për ne tani është koha të bëjmë historinë e re”.

“Ne po mundohemi ta bëjmë më të mirën. Nëse nuk e arrijmë marrëveshjen paqësore, cila është zgjidhja? Ne kemi nevojë për mbështetjen e BE-së, një BE-je të bashkuar, ne nuk jemi djelmosha problematik. Ne po përpiqemi të bëjmë marrëveshje. Askush nuk duhet të ketë frikë nga një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë. Ne kemi nevojë për mbështetje nga BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shprehej ish- presidenti Thaçi.

Kurse, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi, sot ka bashkangjitur fotografinë e presidentes Vjosa Osmani në forum dhe të Hashim Thaçit, duke kërkuar të bëhet krahasimi.

“Bëni një krahasim dhe do shihni dallimin midis Hashim Thaçit (2018) dhe Vjosa Osmanit (2024) në Forumin e Alpbach - Austri!”, ka shkruar Bytyçi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat