Gjykimi në Hagë ndaj Thaçit dhe të tjerëve, dëshmon anëtari i UÇK-së

Aktuale

Gjykimi në Hagë ndaj Thaçit dhe të tjerëve, dëshmon anëtari i UÇK-së

Nga: Bota sot Më: 27 gusht 2024 Në ora: 08:16 Përditësuar në ora: 11:06 më 27.08.2024
Thaçi dhe të tjerët

ZPS për dëshmitarin e 81-të: Ka qenë anëtar i UÇK-së

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i 81-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar i cili ka kodin W04764  dhe është me masa mbrojtëse në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Pyetjet për dëshmitarin i ka filluar ZPS-ja e përfaqësuar nga prokurorja Sarah Clanton. sipas përmbledhjes se lexuar nga prokurorja, ky dëshmitar ka qenë anëtar i UÇK-së.

“Dëshmitari W04764 ka qenë anëtar i UÇK-së i cili ka qenë i pranishëm në Shqipëri dhe Kosovë gjatë vitit 1998 dhe 1999”, tha prokurorja.

Me arsyetimin e mbrojtjes se identitetit të dëshmitarit, seanca kaloi në sesion privat për marrjen e dëshmisë së tij.

Vlen të theksohet se u pranuan në prova materiale të gjitha deklaratat që dëshmitari kishte dhënë më herët për ZPS-në së bashku me materialet përcjellëse.

Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III njoftoi se dëshmia e këtij dëshmitari pritet të zgjasë rreth një ditë e gjysmë e që prej kësaj kohe, tri orë janë ndarë për pyetjet e ZPS-së dhe shtatë orë për kundërpyetjet e mbrojtjes.

Sipas kryegjyqtarit, të gjithë të akuzuarit janë prezent në sallën e gjyqit.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi

Vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, sot dëshmon dëshmitari i radhës

Në Gjykatën Speciale në Hagë do të vazhdojë gjykimi ndaj ish krerëve të UÇK-së.

Gjykimi do të rifillojë sot, 27 gusht, në orën 09:00, me dëshminë e dëshmitarit të ri të ZPS-së.Gjatë ditës së djeshme ka përfunduar dëshminë dëshmitari Skender Zhitia  në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thacit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Dëshmitari tha se populli shqiptar mburret me UÇK-në dhe djemtë të cilët e kanë themeluar atë.“Ushtria Çlirimtare e Kosovës-organizatë politike dhe ushtarake është projekti më i suksesshëm i kombit shqiptar në shekullin XX. UÇK jo vetëm që dinë me organizu luftë të drejtë e të nevojshme, por ka organizu dhe udhëheqë luftë të domosdoshme për ekzistimin e popullit shqiptar në trevat e veta dhe me luftën e vetë të drejtë ka arrit me e ba aleat edhe forcën kryesore siç ka qenë NATO. Ushtria Çlirimtare e Kosovës me këtë luftë e ka bërë epokën e vetë. Populli shqiptar mburret me UÇK-në dhe me ata djem që e kanë themelu UÇK-në. Drejtuesit e UÇK-së janë një emblemë që do të rrezatojë gjithmonë edhe në historiografinë shqiptare”, tha dëshmitari Zhitia duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Krasniqit.

Ish-drejtuesit e UÇK-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefi i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, po gjykohen në Gjykatën Speciale nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij , sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat