Shefi i CIA-s, William Burns, ka zhvilluar një vizitë në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë Kosovën, Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën. Pas vizitës së tij, në Kosovë mbërriti edhe Komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli, Admirali amerikan Stuart B. Munsch.
Këto vizita janë interpretuar si një sinjal i qartë se perëndimi po rifokuson vëmendjen e tij në rajonin e Ballkanit, në një kohë kur sfidat e sigurisë dhe të mbrojtjes po rriten ndjeshëm.
Skender Preteshi, nga Instituti për Siguri dhe Reziliencë, thekson se “ky është një mesazh që rajoni i Ballkanit Perëndimor ende ballafaqohet me sfida të mëdha në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes”.
Ai ka potencuar ndikimin e ndryshimeve gjeopolitike në botë, veçanërisht lufta në Ukrainë dhe tensionet në Lindjen e Mesme, që kanë një efekt të drejtpërdrejtë në stabilitetin e rajonit.
Sipas tij, vizitat e zyrtarëve të lartë amerikanë dhe të NATO-s tregojnë se “perëndimi ka filluar sërish të rikthejë fokusin e tij në rajonin e Ballkanit Perëndimor”.
Nga ana tjetër, njohësi i sigurisë Shkelzen Sopjani interpreton vizitën e Burns-it në Kosovë si një përpjekje për të dhënë mesazhe të qarta dhe të drejtpërdrejta.
“Këtë vizitë e shoh më shumë si një mundësi për të dhënë mesazhe të qarta, por dhe për të treguar pasoja të mundshme nëse liderët rajonalë nuk iu përmbahen këtyre mesazheve”, ka deklaruar Sopjani.