Mitrovica e Veriut e gatshme për rindërtimin e Xhamisë së Ibrit, BIK s’po e dorëzon kërkesën

Aktuale

Mitrovica e Veriut e gatshme për rindërtimin e Xhamisë së Ibrit, BIK s’po e dorëzon kërkesën

Më: 27 gusht 2024 Në ora: 20:19
Xhamia pranë Urës së Ibrit

Në vitin 1999 u dogj njëra nga xhamitë simbol të Mitrovicës. Bëhet fjalë për Xhaminë pranë Urës së Ibrit. 25 vjet pas kësaj, Komuna e Mitrovicës së Veriut për Tëvë1 është shprehur e gatshme ta rindërtojë xhaminë, por vetëm pas kërkesës së Bashkësisë Islame të Kosovës. Këta të fundit kanë sqaruar arsyet se pse nuk po e bëjnë këtë kërkesë.

U ndërtua në vitin 1778.

E për mbi 200 vjet, besimtarët myslimanë u falën në xhaminë që ndodhej tek Ura e Ibrit në Mitrovicë.

Por, fundi i luftës në Kosovë, doli të jetë fatal për këtë xhami.

Forcat serbe e djegën atë, në fund të prillit të vitit 1999.

E për rindërtimin e saj, po shprehen të gatshëm në Komunën e Mitrovicës së Veriut.

Madje thonë se janë vetëm në pritje të kërkesës nga Bashkësia Islame e Kosovës.

“Po presim konkretisht, në bisedime me Bashkësinë Islame të Kosovës dhe Bashkësinë Lokale të BIK-ut në Mitrovicë së Jugut të cilët janë më të rëndësishëm, sepse kërkesa duhet me ardh përmes kryetarit të KBI-së dhe kuvendit që na me sjell vendimit, sepse nuk shkon me ndonjë lloj peticioni”, tha kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhat Uglanjin.

Uglanjin tregon se si do të vepronin nëse një kërkesë e tillë vjen nga BIK.

“Menjëherë do të procedohet (kërkesa) dhe komuna do ta sjell vendimin që është e domosdoshme për qytetarët, sidomos të religjionin myslimanë e cila është nga joshumica në pjesën veriore, sepse xhamia është e ndërtuar në vitet 1873 dhe ne jemi i vetmi qytetet, ndoshta jo vetëm në Kosovë por edhe Evropë, që nuk e kemi një objekt religjioz dhe përkujdesja duhet me qenë nga BIK dhe KBI në Mitrovicë, sepse njerëzit po shkojnë nga Veriu në Jug për ta fal namazin, dhe nëse vjen kërkesa ne jemi të gatshëm edhe për mbledhjen e jashtëzakonshme”, tha ai.

Por, pse BIK nuk po bën kërkesë për rindërtimin e Xhamisë së Ibrit?

“Tema e xhamisë është e ndejshme edhe në kuptimin e sigurisë, neve jemi shumë të interesuar me rindërtua xhaminë, mirëpo nuk jemi të interesuar që as qytetit tonë e as vendit tonë me i shkaktua probleme shtesë të sigurisë”, tha kryetarit i Këshillit të BIK-ut në Mitrovicë, imami Ekrem Avdiu.

Avdiu thotë se xhamia do të rindërtohet në kohën e duhur.

“Nëse bëhen prej të gjithave palëve, në këtë rast ne jemi partner shumë serioz, pra partner edhe me Qeverinë e Kosovës edhe me strukturat lokale të qeverisëse por edhe me ato të sigurisë. Pra kur të gjithë së bashku e vlerësojmë se ka ardhur koha të fillojmë ndërtimin e xhamisë, ne do ta fillojmë atë, gjithmonë duke i respektuar procedurat. Konsideroj që edhe ata zotërinjtë në Komunën e Mitrovicës Veriore do të jenë të gatshëm ashtu si e shprehin edhe deklarativisht”, tha ai.

Së fundmi Qeveria e Kosovës mori masat për hapjen e Urës së Ibrit, e cila ngjalli reagime të ashpra nga ndërkombëtaret.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat