Qeveria merr vendim, shtyn afatin për regjistrimin e mërgatës
Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të shtyjë afatin për regjistrimin e mërgatës deri më 31 dhjetor të këtij viti.
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka thënë se kërkesa për shtyrje të afatit po bëhet për shkak se ditëve të fundit brenda ditës ka pasur deri në tre mijë regjistrime.
Ajo, ka thënë se të dhënat që do të dalin nga regjistrimi i mërgatës do t’u shërbejnë institucioneve por edhe vet mërgatës për organizim më të mirë të nevojave dhe potencialit.
Gërvalla: Të shtyhet afati për regjistrimin e mërgatës
“Ju ftoj sot që të miratojmë shtyrjen e afatit dhe të ndryshojmë vendimin e datës 17 maj 2024 për regjistrimin e mërgatës të diasporës përmes portalit e-diaspora kërkoj shtyrjen e afatit deri më 31 dhjetor 2024 për disa arsye. Së pari dua të theksoj se regjistrimi i mërgatës në formën që është duke u bërë sot është ndoshta ndërmarrja më e rëndësishme në raport me mërgatën e katër dekadave të fundit. Të dhënat që do të dalin nga regjistrimi i mërgatës do të na shërbejnë edhe institucioneve të vendit, por edhe vet mërgatës për një organizim më të mirë të nevojave dhe të potencialit. Ndërkohë, gjatë ditëve të fundit kemi pasur një dinamikë përafërsisht tre mijë regjistrime në ditë që do të thotë që kjo dinamikë do të përpiqemi të mos e ndalim përmes përfundimit të afatit”, ka thënë ajo.
Kurti komenton vizitat e fundit të zyrtarëve amerikanë
Kryeministri Albin Kurti i ka komentuar vizitat e kaluara dhe pasuese të ditëve të fundit, ku është folur edhe për situatën e hapjes së Urës së Ibrit.
“Mbështetja e tyre është e palëkundur, bashkëpunimi i gjerë dhe i fuqishëm, kurse përkushtimi i përbashkët është serioz dhe produktiv në shërbim të paqes dhe sigurisë të cilat ecin paralelisht me sundimin e rendit dhe ligjit, si dhe progresin demokratik dhe ekonomik”, tha Kurti në lidhje me, ndër tjerash, vizitën e shefit të CIA-s, William Burns.
“Në të gjitha këto takime natyrisht diskutohet edhe çështja e hapjes së urës qendrore mbi lumin Ibër në Mitrovicë për të cilën jemi duke i bërë të gjitha konsultimet e nevojshme si dhe punët tona të shtëpisë, si për shembull, trajtimi i draftit preliminar për qëndrueshmërinë fizike të urës teksa presim raportin final, e deri te përgatitjet për rregullimin e pamjes dhe pastrimin e mjedisit rrotull”, ka thënë Kurti në mbledhjen e sotme të qeverisë.
“Hapja e urës është liri e lëvizjes, e liria e lëvizjes është e drejtë themelore si në Republikën e Kosovës, ashtu edhe në Bashkimin Evropian”.
“Para katër ditësh u mbushën 11 muaj prej agresionit serb kur u vra heroi i policisë, Afrim Bunjaku. Serbia nuk është mbajtur përgjegjëse dhe vazhdon të mos ta dorëzojë Radoiçiqin. Edhe në ShBA kërkova që të ketë më shume trysni për vënie ndaj drejtësisë të akteve destablizuese të Beogradit zyrtar dhe individëve përkatës”, ka shtuar Kurti.
Qeveria e rrit pagën minimale në 350 euro, ja kur hyn në fuqi
Qeveria e Kosovës do të rritë pagën minimale në 350 euro, ka paralajmëruar kryeministri Albin Kurti, në mbledhjen e sotme të ekzekutivit.
Kurti para kabinetit qeveritar tha se niveli i pagës minimale do të jetë i liruar nga tatimi.
Kurti: Do të rrisim pagën minimale në 350 euro bruto në muaj
“Me hyrjen në fuqi të ligjit për pagën minimale më në fund u hap rruga që edhe zyrtarisht të rritet paga minimale pas një pritje prej 13 vitesh. Ndërkaq sot do të shqyrtojmë propozimin që niveli i pagës minimale të jetë 2 euro për dy orë punë të rregullt apo 350 euro bruto në muaj për punë me orar të plotë. Paga minimale do të jetë e liruar nga tatimi. Kjo është rritja e dytë e pagës minimale brenda këtij mandati qeverisës”, tha Kurti.
Ministri i Financave, Hekuran Murati bëri me dije se kjo pagë do të hyjë në fuqi nga 1 tetori.
“Do të hyjë në fuqi nga data 1 tetor që t’u japim kohë organizatave dhe bizneseve t’i bëjnë përshtatjet e nevojshme”, tha Murati.
Duke folur për fillimin e vitit të ri shkollor, Kurti tha se deri tani kanë aplikuar mbi 195 mijë prindër për subvencionimin e teksteve apo materialeve shkollore.
Kurti: Gjithçka është gati për fillimin e vitit të ri shkollor
"Deri tani kanë aplikuar gjithsej 194 mijë e 160 prindër ose kujdestarë ligjor për subvencionimin e teksteve apo materialeve shkollore, ndërkaq janë subvencionuar gjithsej 171 mijë e 200. Gjithçka është gati për fillimin e mbarë dhe me kohë të vitit shkollor”, shtoi Kurti.
Krahas këtyre, kreu qeveritar tha se transformimi në shëndetësi po bëhet në mënyrë të qëndrueshme dhe rrënjësor.
Kurti për Urën e Ibrit: Po i bëjmë të gjitha konsultimet për hapjen e saj
Kryeministri Albin Kurti thotë se janë duke i bërë konsultimet e nevojshme për hapjen e Urës së Ibrit.
Në fjalën e tij në mbledhje të qeverisë, Kurti theksoi se hapja e urës është liri e lëvizjes themelore sikur në Kosovë ashtu edhe në Bashkimin Evropian.
“Jemi duke i bërë të gjitha konsultimet e nevojshme si dhe punët tona të shtëpisë si p.sh. trajtimi i draftit preliminar për qëndrueshmërinë fizike të urës teksa presim raportin final e deri te përgatitjet për rregullimin e pamjes dhe pastrimin.
Hapja e urës është liri e lëvizjes e liria e lëvizjes është e drejtë themelore si në Kosovë ashtu edhe në Bashkimin Evropian”, tha Kurti.
Qeveria miraton projektligjin për sigurimin shëndetësor
Qeveria e Kosovës ka miratuar projektligjin për sigurimin e detyrueshëm shëndetësor, të cilin projektligj kryeministri Albin Kurti e cilësoi si të rëndësishëm, duke theksuar se shëndetësia po ndryshohet rrënjësisht.
Në fjalën e tij gjatë mbledhjes së Qeverisë, Kurti vlerësoi se ky projektligj synon të garantojë sigurim publik shëndetësor për të përmirësuar cilësinë e jetës.
“Synimi ynë është që të investojmë në shërbime shëndetësore dhe të garantojmë sigurim publik shëndetësor për të përmirësuar cilësinë e jetës dhe të jetësohet një gjë e tillë me miratimin e projektligjit për sigurimin shëndetësor. Njerëzit në nevojë do të kenë mbrojtje më të mirë sociale, që ndihmon për të zvogëluar si varfërinë, ashtu edhe pabarazinë” – tha Kurti në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, e sqaroi rëndësinë e këtij projektligji, ndërsa i gjithë kabineti e votoi këtë projektligj.
Propozohet rritja e pagës minimale
Qeveria e Kosovës do të shqyrtojë sot propozimin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për rritjen e pagës minimale.
Sipas propozimit të Ministrisë së Financave, i cili pritet të miratohet sot, paga minimale do të jetë 350 euro bruto në muaj, tha kryeministri Albin Kurti në fillim të mbledhjes së Qeverisë së Kosovës të mërkurën.
“Sot do të shqyrtojmë propozimin e Ministrisë së Financave që niveli i ri i pagës minimale të jetë dy euro për orë pune të rregullt, apo 350 euro bruto në muaj për punë me orar të plotë. Paga minimale do të jetë e liruar nga tatimi”, tha kryeministri Albin Kurti.
Kurti tha se kjo do të jetë hera e dytë e ngritjes së pagës minimale në qeverisjen e tij.
Nëse propozimi miratohet në mbledhjen e sotme të kabinetit qeveritar, paga minimale do të rritet nga 264 euro, në 350 euro në muaj.
Ligji për Pagën Minimale ka hyrë në fuqi në gusht të këtij viti.
Para se ky ligj të hynte në fuqi, paga minimale në Kosovë ishte 170 euro në muaj.
Kurti mbledh ministrat
Sot Qeveria e Kosovës do të mbajë mbledhje.
Mbledhja fillon nga ora 10:00.
Në njoftimin nga Zyra e Kryeministrisë u dha informata konkrete për pikat që do të diskutohen në këtë mbledhje.