Përfundon dëshminë ish-ushtari i UÇK-së në rastin Thaçi dhe të tjerët

Aktuale

Përfundon dëshminë ish-ushtari i UÇK-së në rastin Thaçi dhe të tjerët

Më: 28 gusht 2024 Në ora: 13:14
Foto ilustrim

Dëshmitari i 81-të i cili mbanë kodin W04764 ka përfunduar dëshminë e tij në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Dëshmitari W04764 filloi dëshminë të martën. Sipas përmbledhjes së lexuar nga prokurorja Sarah Clanton, ky dëshmitar është ish-pjesëtar i UÇK-së.

Ndryshe, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III tha se do të bëjnë pushim për pak që t’i jepet mundësia ZPS-së që të bëjë përgatitjet për dëshmitarin e radhës.

Në seancë private, ish-ushtari i UÇK-së merret në pyetje nga trupi gjykues në rastin Thaçi dhe të tjerët

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), në Hagë, të mërkurën po vazhdon dëshminë dëshmitari i 81-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), i cili mban kodin W04764 në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasnqit.

Në fillim të seancës, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III njoftoi se trupi gjykues do të bëjë pyetje për dëshmitarin, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Pyetjet për dëshmitarin i filloi gjyqtari Christoph Barthe për të vazhduar më pas me të tjerët në rast që kanë pyetje.

Me arsyetimin për mbrojtjen e identitetit të dëshmitarit, seanca kaloi në sesion privat për publikun.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat