Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka folur mbi të drejtën e votës së mërgatës, duke thënë se është e drejtë e secilit për të votuar dhe e drejtë themelore dekomraktike, që buron nga Kushtetuta e Kosovës.
“E drejta e votës për mërgatën nuk guxon të mbetet vetëm në letër. Ajo duhet të mundësohet kudo dhe për të gjithë”, tha ajo.
“Zhurmaxhinjtë, të cilët kaq herët paska filluar t’i pengojë mundësimi i votimit të mërgatës në ambasada dhe misione anekënd botës, i këshilloj të qetësohen dhe të studiojnë ligjin”, shkruan ajo.
Postimi i plotë:
Së bashku me KQZ-në jemi duke punuar çdo ditë për t’i siguruar secilit qytetar të Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit, ashtu si e parashohin ligjet e Republikës së Kosovës, të drejtën dhe mundësinë për të votuar në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025. Secilit dhe secilës që dëshiron të japë votën e tij dhe votën e saj, dhe në mënyrën që ai dhe ajo vetë zgjedhin për të votuar.
E drejta e mërgatës për të votuar, si e drejtë themelore demokratike, buron nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës, ndërsa mënyra e votimit rregullohet me Ligjin e ri Zgjedhor, të miratuar gjatë këtij mandati qeverisës nga Kuvendi i Kosovës. Është detyrim i të gjitha institucioneve tona të krijojnë dhe sigurojnë të gjitha mundësitë e parapara me ligj. E drejta e votës për mërgatën nuk guxon të mbetet vetëm në letër. Ajo duhet të mundësohet kudo dhe për të gjithë.
Zhurmaxhinjtë, të cilët kaq herët paska filluar t’i pengojë mundësimi i votimit të mërgatës në ambasada dhe misione anekënd botës, i këshilloj të qetësohen dhe të studiojnë ligjin. Ka kaluar njëherë e përgjithmonë koha kur për motive të ulëta politike, vota e mërgatës pamundësohej dhe gjymtohej deri në ekstrem.
Mërgata është pjesë e pazëvendësueshme e Kosovës. Në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 ajo do të mund të votojë pa barriera burokratike dhe administrative dhe për herë të parë edhe në ambasada dhe konsullata, por edhe përmes postës, pra ashtu siç e përcaktojnë Kushtetuta dhe ligjet e Republikës së Kosovës.