Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka pritur sot në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves.
Kryetari Lumir Abdixhiku përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, ka shkruar se e ka njoftuar ambasadorin Hargreaves mbi përgatitjet për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Sipas Abdixhikut, LDK-ja po hyn në zgjedhje me ekip të ri, program të ri dhe ide të reja.
“E njoftova ambasadorin mbi përgatitjet tona për zgjedhjet e 9 shkurtit, programin tonë politik ‘Rruga e Re’ dhe fokusin tonë elektoral në politika zhvillimore e projekte që kanë rëndësi e peshë njëmend për qytetarët në vend. LDK po hyn në zgjedhje me ekip të ri, program të ri, ide të reja! Mbi të gjitha me entuziazëm të unitetit e me shpresë për të ardhmen e vendit”, ka shkruar Abdixhiku.
Abdixhiku, po ashtu ka deklaruar në takim theksoi rëndësinë e mbështetjes ndërkombëtare për stabilitetin dhe zhvillimin demokratik të Kosovës; në veçanti në përballje me kundërshtarët e shtetësisë sonë.
“Mbretëria e Bashkuar ka qenë dhe mbetet aleat i ngushtë i yni në këtë drejtim. Për këtë, ne dhe populli i Kosovës mbesin mirënjohës përherë”, ka thënë Abdixhiku.