Nënkryetarja e SBAShK-ut, Vjollca Shala, ka deklaruar se është duke munguar dialogu në mes të kësaj sindikate dhe Ministrisë së Arsimit.
Sipas saj, janë paraqitur shumë probleme me mënyrën e sigurimit të teksteve shkollore.
“Është duke munguar dialogu në mes të SBAShK-ut dhe Ministrisë së Arsimit me qëllim të paraqitjes së kërkesave legjitime për mësimdhënësit, të cilët i kanë dhe i marrim ne nga zëri i tyre. Pastaj ka edhe shumë probleme të tjera”, tha ajo.
Tutje, tha se si sindikatë kanë pakënaqësi për licencë të avancuar, për ngritje të koeficientit, dhe sidomos për kushtet e punës nëpër shkolla.
“Urojmë që nxënësit të jenë të pajisur me tekste mësimore në fillim të vitit të shkollor. Gjithashtu, ka edhe pakënaqësi të tjera, kemi rastin e mësimdhënësve, të cilët kanë aplikuar për licencë të avancuar dhe ne kërkojmë nga Ministria e Arsimit që sa më parë të fillojnë me vlerësimin e mësimdhënësve. Gjithashtu, pakënaqësi ka edhe për ngritje të koeficientit që është kërkesë e jona të bëhet një ngritje prej 30 për qind. E për kushte të punës mos të flasim ku akoma shumë shkolla të Kosovës janë duke punuar vetëm me shkumës dhe shpuzë”, deklaroi ajo.
Ndërkaq, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se janë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e procesit mësimor.
“Si Ministri e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit bashkë me Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe udhëheqësit e shkollave, i kemi bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për fillimin e vitit të ri shkollor”, ka shkruar ajo dje në Facebook.