Vazhdon punën pa telashe zyra e Postës së Kosovës në veri
Po vazhdon pa ndonjë problem puna në zyrën e Postës së Kosovës, të hapur sot në sheshin “Car Lazar” në Mitrovicë Veriore.
Kështu njofton Petrit Fejza, shef i operatives rajonale në Mitrovicë Veriore, duke theksuar se çdo gjë është në rregull aty dhe se sheshi është gjatë tërë kohës nën kontroll policore.
Situatë e qetë vazhdon të jetë edhe mbi lumin Ibër, me këmbësorë që po kalojnë nga një anë e urës në tjetrën.
“Mund t’i kryejnë të gjitha shërbimet”, Rizvanolli dhe Krasniqi në veri për hapjen e degës së Postës së Kosovës
Zyrtarë të lartë të Qeverisë së Kosovës, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe ai i Administrimit të Pushteit Lokal, Elbert Krasniqi, kanë marrë pjesë në hapjen e kësaj dege, në orët e hershme të mëngjesit, siç raporton Radio Evropa e Lirë.
Disa aktivistë dhe përfaqësues të partisë politike, Demokracia Serbe, kanë protestuar kundër hapjes së kësaj dege.
Ministrja Rizvanolli ka thënë se Posta e Kosovës synon të ofrojë shërbime postare për të gjithë, në të gjitha anët e Kosovës, dhe se pika e hapur është e nënta që hapet në veri të vendit.
“Është shumë e rëndësishme që kjo zyrë është hapur sot këtu dhe qytetarët e Mitrovicës së Veriut tani kanë mundësinë të vizitojnë këtë degë dhe t’i kryejnë të gjitha shërbimet që ofron kjo degë. Ka shërbime postare dhe të Telekomit”, ka thënë ministri Krasniqi para mediave.
Hapja e kësaj dege vjen pas mbylljes së nëntë degëve të Postës së Serbisë në veri të Kosovës, pas informacionit të siguruar nga Autoriteti Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare (ARKEP) se ato degë kanë vepruar jashtëligjshëm në territorin e Kosovës.
Mbyllja e këtyre degëve të Postës së Serbisë është dënuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, dhe është vlerësuar si hap i njëanshëm prej autoriteteve të Kosovës.
Në degët e kësaj Poste, qytetarët kanë marrë ndihmat që ndan shteti i Serbisë për ta – pensionet dhe shtesat për fëmijë – si dhe të kryejnë shërbime tjera postare.
Posta e Kosovës ka vepruar si njësi biznesi në kuadër të Telekomit të Kosovës deri më 2021, kur me vendim të Qeverisë së Kosovës është themeluar si ndërmarrje publike qendrore.
Hapet Posta e Kosovës së Mitrovicën e Veriut, serbët me aksion
Në veri të Kosovës është hapur sot dega e Postës së Kosovës.
Ajo është hapur në Mitrovicën e veriut, përkatësisht në sheshin ‘Car Llazar’.
Në ndërkohë, serbë lokal janë parë duke zhvilluar një aksion atje.